Shtyhet mbledhja e KQZ, kërkohet dokumentacion shtesë nga Zyra Ligjore lidhur me rekomandimin

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është shtyrë për dy orë me kërkesë të disa prej anëtarëve të Komisionit, të cilët kërkuan dokumentacion shtesë nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim (ZRPPC), shkruan Mediafokus.info

ZRPPC i ka rekomanduar KQZ-së që të certifikojë të gjitha subjektet politike dhe kandidatët e tyre.

Disa nga anëtarët e Komisionit kërkuan që t’u ofrohet dokumentacioni i nevojshëm dhe korrespodencat e ZRRPC me institucionet tjera, lidhur me procesin e verifikimit të kandidatëve për deputetë.

Në lidhje me këtë, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se përderisa disa anëtarë nuk janë të bindur për votimin e rekomandimit të Zyrës Ligjore, duhet kohë që të përgatisin dokumentet dhe më pas t’i shqyrtojnë ato.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alim Rama dhe Sami Kurteshi, ishin kundër shtyrjes së mbledhjes dhe kërkuan që rekomandimi të hedhet në votim.

Sipas tyre, anëtarët e Komisionit nuk bëjnë shqyrtimin e dokumentacionit, por vetëm votojnë për ose kundër rekomandimit të ZRPPC.

Mbledhja do të vazhdojë në ora 17:30./Mediafokus.info/