Shurdhani: Do ta dëshmohet se kam pasur të drejtë që kam këmbëngulur në vazhdimësi që në asnjë mënyrë të mos preket qëllimi i “Fshatit të Lumtur”
Shkruan: Fatmir Shurdhani
Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, pushteti ia doli që t’ia tjetërsojë destinimin “Fshatit të Lumtur”, një projekti të jashtëzakonshëm, i cili, në kushte normale, do t’u bënte zgjidhje të madhe personave me aftësi të kufizuara.
Për informimin e drejtë të publikut, për ta funksionalizuar këtë projekt, në vitin 2021 ka qenë i formuar një Komision multi-sektorial në kuadër të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, por i njëjti ishte pasivizuar me ardhjen në pushtet të partisë Vetëvendosje.
Fillimisht, ju bëj me dije se ky projekt nuk ka qenë i dedikuar për Handikos-in, por për organizatat jo-qeveritare “Liria”, Down Sindrom Kosova në Gjilan, “Pema”, Shoqatën e të Verbërve, Shoqatën e Shurdhmemecëve dhe një pjesë e sektorit të mirëqenies sociale.
Pra, krejt avokimi im ka qenë në shërbim të këtyre organizatave, dhe në asnjë mënyrë për Handikosin, sepse ne e kemi objektin që i plotëson të gjitha nevojat e personave me aftësi të kufizuara.
Zgjidhje e madhe do të ishte për ta sepse janë ndërtuar dy konvikte, një qendër e aftësimit profesional për aftësim dhe riaftësim të personave me aftësi të kufizuara dhe kopshti i fëmijëve, i cili do të shërbente si qendër ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Por, tashmë asnjë nga këto shërbime nuk do të kryhen aty për këto kategori, sepse “Fshatit të Lumtur” ia tjetërsuan destinimin, duke ia dhënë në menaxhim Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan. Përvec tjerash, s’ka pasur asnjë debat publik me OJQ-të për ridestinimin e projektit.
Zyrtarisht nuk kanë dhënë asnjë informatë se si do të shfrytëzohet ky projekt. Jo zyrtarisht, janë dy versione: njëri se do të bëhet një qendër rajonale e Bashkësisë Islame, ku do të përfshihej Anamorava, Lugina e Kumanova dhe tjetri se do të shfrytëzohet për shkollën e mesme të medresesë “Alaudin”. E paradoksi është se donatori (2.3 milionë dollar investim) e ka orientuar ekskluzivisht projektin te këto kategori që i theksova më lartë!
Për fund, u kërkoj falje qytetarëve për gjuhën e papërshtatshme në një rast, në seancën e sotme, e cila u nxit fillimisht nga kryesuesja e Kuvendit e më pas nga disa anëtarë drestruktivë të partisë VV dhe të ndonjërit nga kabineti i kryetarit.
Koha do ta dëshmojë se unë kam pasur të drejtë që kam këmbëngulur në vazhdimësi që në asnjë mënyrë të mos preket qëllimi i projektit.
Sa të jem gjallë, do të avokojë me krejt qenien time për personat me aftësi të kufizuara. Do të jem gjithmonë zëri kumbues i tyre. Hiç s’mërzitem nëse pushteteve nuk i bij tamam!
(Autori është drejtor i shoqatës Handikos në Gjilan)

