Si e kujton Hushin, Lutfi Haziri?
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, flet me pietet të lartë për dëshmorin Ibrahim Uruqi-Hushi.
Në librin e autorit Nijazi Idrizi “I tillë ishte Hushi”, Haziri ka folur mbi atë se si e ka njohur këtë kolos, që nga aktivitetet gjatë vitet 90-ta, e deri pak para se të vritej.
Mediafokus sjell përkujtimin e plotë të Lutfi Hazirit për Hushin, ne 21 vjetorin e renies.
Hushin e kam njohur si shok të mirë, të fjalës dhe i përkushtuar për çështjen kombëtare e rezistencën aktive. Ai ishte i lindur për të luftuar, me çka e dëshmoi edhe me heroizmin e tij.
Hetimet është e vështirë të përshkruhen me fjalë, për shkak të ferrit që kemi kaluar. Rrahje, tortura, maltretime, kërcënime deri me vrasje, elektroshok, e metoda ruse-serbe të tortures.
Marrëveshja ushtarake e Oslo-s na gëzoi pa masë dhe na motivoi shumë në rrugën e lirisë.
Gjatë luftës e takova në shtëpinë e tij, në lagjen “Dardania”. Ishte kthyer për t’u takuar me mua. Më njoftoi për zhvillimet dhe strukturat e Zonës, para Betejës së Zhegocit. Ishte tronditur nga humbja e bashkëluftëtarëve, por ishte edhe i bindur për betejat dhe fitoren që shihej tashmë, në prill të vitit 1999.
NATO i sulmonte objektivat serbe. E përcjella deri në qarkore! Me kërkesën e tij unë pranova që ta pres vetëm ftesën e tij edhe ekipin që ai do ta dërgonte të unë, për t’u bashkuar në frontin e pritur. Më kërkoi me ngulm që të mos i besoj askujt dhe të pres. U ndame pa lamtumirë, të bindur që do të shihemi shpejtë!.
Në anën tjetër edhe policia serbe na kërkonte në tërë territorin, sepse kishte marr urdhër nga gjykata për të na burgosur.
Lajmin per rënien e tij e kam përjetuar shumë rëndë. E kam pritur ardhjen e tij deri më 15 qershor, kur ma konfirmuan se Hushi i ishte bashkuar radhëve të dëshmorëve dhe nuk do të na kthehet më, duke u shndërruar në roje të përjetshme të lirisë së Kosovës.
Vepra e madhe e Ibrahim Uruqit dhe e të gjithë dëshmorëve të kombit, na bënë bashkë pa dallime politike e religjioze.
Ibrahimi dhe të gjithë dëshmorët tanë, sot na bëjnë të ndihemi të vegjël, na bëjnë të ndihemi të obliguar dhe të përgjegjshëm që amanetet e tyre, sakrificat e tyre të çmohen dhe të ecim përpara.
Me krenari e them që jam i nderuar, që jam edhe unë njëri nga shokët që ka ecur në një kohë të vështirë, të gjatë e të rëndë me Ibrahimin.
Falë Ibrahim Uruqit dhe rezistencës së tij dhe idealit të tij, një numër i madh i njerëzve sot janë gjallë dhe jetojnë e veprojnë në të gjitha poret e jetës. Falë asaj sakrifice të madhe të tij dhe luftës së tij, ne sot jemi dëshmitarë të gjallë dhe e kemi këtë ditë të bardhë të lirisë.
Ne sot jemi shumë të vegjël para dëshmorëve si Ibrahim Uruqi. Ata rrugën e tyre e kanë zgjedhur në ditën e rënies për liri, ku rruga e tyre është ndriçuar.
Unë, me tërë qenien time, do të vazhdoj t’i nderoj të gjithë dëshmorët, përfshirë Ibrahim Uruqin, familjet e tyre dhe të gjithë ata njerëz dhe të gjithë atë gjak që është derdhur që ta gëzojnë të gjallët.
Nuk thonë kot, ai që nderon dëshmorët, nderon vetën, familjen dhe kombin e tij. Ibrahim Uruqi nuk luftoi vetëm për Gjilan e Anamoravë. Ai, së bashku me shokët e tij u kryengrit për të drejtat e shqiptarëve kudo që jetojnë.
Ibrahim Uruqi u bë shembulli më i mirë i sakrificës, jo në familje e lagje e qytet, por kudo që jetojnë shqiptarët në trevat etnike.
Në kohët më të vështira të gjithë bashkërisht kemi penguar e thyer planet, idetë dhe dëshirat e okupuesve për boshatisjen e Kosovës, sepse e kemi dashur dhe kemi punuar deri në çlirim të vendit për atë që (brezat e njerëzve të Kosovës) ne të jetojmë, veprojmë, zhvillojmë e ndërtojmë gjithçka në vendin tonë.
Lumenjtë e Kosovës kanë rrjedhur gjakë. Ai gjak ishte i fëmijëve, grave, burrave, të rinjve e të rejave që janë pushkatuar, masakruar, torturuar e ndëshkuar në mënyrën më të egër, vetëm për shkakun donin që Kosova të mbetet Shqipëri, pse donin që Kosova të ketë plisa të bardhë, pse donin që Kosova të jetë aty ku e ka vendin.
Prandaj, vizioni i Hushit dhe dëshmorëve ishte që shqiptarët të jetojnë të bashkuar. Ne shqiptarët ende nuk e kemi lirinë e plotë. Ne shqiptarët ende nuk jemi bashkë në Ballkan dhe në Evropë, duhet të hyjnë të bashkuar në një komb, i cili, është amaneti më i madh i dëshmorëve si Ibrahim Uruqi.
Ibrahim Uruqi – Hushi sot i bënë roje lirisë së Kosovës. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tij!/MediaFokus/
(Marrë nga libri “I tillë ishte Hushi”, i autorit Nijazi Idrizi)