Si e menaxhuam situatën e helmimit të nxënësve shqiptarë para 30 vitesh?
Si dhe sa ishim të përgatitur ne si staf mjekësor në atë kohë (pa kohë) dhe si e menaxhuam situatën e helmimit të nxënësve shqiptarë?
Edhe në atë kohë (kur gjithçka ishte nën mbikëqyrjen e pushtetit totalitar të ish-Jugosllavisë e me theks të veçantë të Serbisë), personeli mjekësor nga komuniteti shqiptar e tha dhe e dha fjalën e vetë.
Duhet cekur se në fillim kjo gjendje neve na gjeti jo të përgatitur mirë (gati sikurse tani që po ballafaqohemi me Covid-19), por atëherë në rrethana krejt të tjera, kuptohet shumë më keq.
Me sa më kujtohet, rastet e para të helmimeve kishin filluar në Podujevë, e që më pas u paraqitën në tërë Kosovën.
Në atë kohë, siç u përmend, veç ishte instaluar pushteti i hekurt serb në çdo institucion e në veçanti në institucionet shëndetësore dhe arsimore.
Në Spitalin e Gjilanit ishim vetëm 4-5 drejtues shqiptarë të reparteve, e kjo bëhej vetëm për arsye se nga komuniteti serb nuk kishte kuadro përkatës.
P.sh. Reparti i Ortopedisë, reparti i Urologjisë, reparti i Infektologjisë, reparti i Koronares etj.
Edhe pse në atë kohë, drejtuesit e këtyre reparteve ishin shqiptarë ata ishin pothuajse sa për sy e faqe, sepse për gjithçka vendosnin serbët.
Më kujtohet si sot, që rastet e para erdhën me disa simptoma të lehta helmimi.
Në fillim nuk ishin në numër të madh, e që ishte më lehtë të menaxhohej ajo situatë.
Kurse në ditët në vijim, numri i nxënësve të helmuar u shtua aq shumë sa që neve na zuri në befasi, sepse në fillim nuk dihej se për çfarë bëhej fjalë. Të helmuarit ishin të gjithë shqiptarë.
Duke u bërë situata shumë alarmante, ne mjekët shqiptarë u mblodhëm dhe filluam të bisedojmë se çfarë hapa duhet të ndërmarrim.
Me qenë se unë isha drejtues i repartit të Infektologjisë, e që reparti ishte i ndarë fizikisht nga spitali regjiopnal, Dr. Ismail Aliu, kardiolog, propozoi që unë të jem përgjegjës kryesor për menaxhimin e rasteve të helmimeve në atë kohë.
Në fillim, vendosëm ta zbrazim repartin në tërësi dhe se të gjithë pacientët u liruan për në shtëpi.
Reparti kishte 24 shtretër dhe të gjithë shtretërit i nxorëm në oborr të spitalit për shkakt të krijimit të hapësirës, sepse numri i nxënësve të helmuar në çdo moment rritej dhe arriti numër shumë i madh sa që nuk e përballonte reparti.
Për më shumë, ne vendosëm dyshekë dhe batanije në oborrin e spitalit për të shërbyer të helmuarit.
Kolegji në përbërje të mjekëve shqiptarë vendosi që çdo pacienti t’i jepet terapi venoze – infuizione me vitamine. Kjo bëhej për t’u ruajtur vija venoze. Pra, akoma nuk dihej sigurtë se për çfarë helmimi bëhej fjalë.
Gjithashtu u vendos që të gjithë mjekët dhe infermieret shqiptarë të jenë në gjendje gatishmërie për të ofruar ndihmën si në repart, po ashtu edhe në oborr të spitalit. Ishte një mobilizim i mrekullueshëm.
Gjatë shërbimit, kishim telashe me familjarët e të helmuarve, meqë me të drejtë ata ishin shumë të brengosur.
Në ato momente erdhi policia dhe në mesin e tyre ishte edhe Halit Rexhepi, së bashku me komandantin e policisë Enver Ramizi që dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbajtjen e rendit.
Një problem tjetër serioz, e që duhet cekur, ishte se duhej të jepej terapi me infuzione e që në atë kohë, infuzionet ishin të mbikëqyrura nga drejtori i përgjithshëm serb, e që nuk mund të nxirrej asnjë infuzion pa miratimin e tij.
Procedurat ishin shumë byrokratike e që krijonin vonesa pa asnjë arsye, ndërsa situata përkeqësohej orë e çast.
Infuzionet ishin të vendosura në shërbimin e transfuzionit, e që për fatin e mirë, atë shërbim e menaxhonte znj. Hyxherete Krasniqi.
Unë kontaktova më znj. Krasniqi për t’i kërkuar infuizionet dhe i garantova se përgjegjësinë për çdo mosmarrëveshje e merrja unë.
Aty gjeta mirëkuptimin e saj ku edhe arrita që të siguroj sasi të konsiderueshme të infuzioneve dhe terapisë tjetër përcjellëse për t’iu ofruar ndihmë nxënësve të helmuar.
Pas 3-4 ditësh, në cilësinë e menaxhuesit të situatës së kjrijuar, u thirra nga drejtori Mihajlovic në zyrën e tij, ku të pranishëm ishin Halit Rexhepi dhe Enver Ramizi si dhe policë serbë tjerë përcjellës, të ardhur nga Vranja.
Aty u krijua një situatë e rëndë në mes meje dhe një mjeku serb, por falë të pranishmëve, nuk ndodhi më e keqja.
Drejtori më akuzoi se kisha bërë harxhime me kosto shumë të lartë, sipas tij, pa nevojë dhe me gabime profesionale, duke shpifur se ato shërbime të bëra ndaj nxënësve të helmuar ishin simulim dhe se, sipas tij, nuk kishte të bënte me ndonjë helmim, por se nxënësit po aktronin.
Unë i thashë “bëjeni llogarinë e shpenzimeve dhe unë i marr përsipër për t’i mbuluar shpenzimet”, por megjitathë kjo barrë nuk mu ngarkua.
Për këtë punë kolosale duhet falaminderuar tërë stafin mjekësor të komunitetit shqiptar, si mjekët po ashtu edhe infermierët.
Gjithashtu, punëtorët ndihmës të spitalit kanë merita të larta, me që ata kanë bartur të gjithë të helmuarit dhe kanë qenë në shërbim të plotë për të ndihmuar menaxhimin e situatës së krijuar, por edhe popullata e alarmuar me këtë situatë, ishin mobilizuar për të ofruar ndihmën e tyre të pa kursyer.
Një faleminderim i veçantë i dedikohet edhe tashmë të ndjerit Milaim Zeqiri i cili ka qenë prezent në spital gjatë tërë kohës sa jemi marrë me shërbimin e nxënësve të helmuar e deri në shërimin e plotë të tyre.
Me këtë rrëfim desha vetëm të informoj apo rikujtoj publikun se me çfarë pushteti kemi pas të bëjmë dhe se në çfarë kushte të vështira dhe me rrezik të lartë, ne si popull human, jemi munduar të japim kontributin tonë, të cilin ne si mjekë e kemi për obligim.
MR. SCI. DR. Xhevat DEMIRI

