Si mund të rehabilitohen të burgosurit përmes planifikimit të dënimeve

Nga 24 deri më 27 maj, 56 pjesëtarë të stafit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) u trajnuan mbi zbatimin e planeve të dënimeve për të burgosurit nga dy ekspertë finlandezë korrektues gjatë një punëtorie të organizuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Planet e dënimeve përshkruajnë aktivitetet që çdo i burgosur duhet t’i kryejë gjatë vuajtjes së dënimit të tij/saj.

Në bazë të vlerësimit të nevojave të burgosurve dhe rreziqeve të ndërlidhura këto plane përgatiten në bashkëpunim të ngushtë me vet të burgosurit.

Si një mjet thelbësor për promovimin e rehabilitimit të burgosurve, këto plane ndihmojnë në parandalimin e përsëritjes së veprës dhe e mbështesin ri-integrimin e suksesshëm të burgosurve në komunitetet lokale të tyre, e cila është thelbësore për mbrojtjen e qytetarëve.

Udhëheqësi i pilot projektit të Njësisë për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve (NJVKB), Jaha Zaneli, e shpjegoi funksionimin aktual të procesit të planifikimit të dënimit në SHKK, duke theksuar nevojën e angazhimit aktiv dhe të vazhdueshëm të burgosurve në rrugëtimin e tyre personal drejt ndryshimit.

Ai gjithashtu e theksoi rëndësinë e përfshirjes së punonjësve socialë, zyrtarëve korrektues, punonjësve shëndetësorë dhe psikologëve në këtë proces.

Gjatë diskutimeve për rëndësinë e planeve të dënimit, Udhëheqësja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski, tha: “Ky plan mundëson procesin e rehabilitimit të të burgosurit: çka edhe është qëllimi përfundimtar i çdo dënimi me burg. Përvoja ka treguar se të burgosurit që ndjekin plane dënimi të individualizuara marrin mundësi më të mira për punësim dhe bëhen qytetarë që e respektojnë ligjin pas lirimit të tyre.”

Vahakoski theksoi se EULEX-i pret që NJVKB të bëhet plotësisht funksionale pasi Ligji i ri për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit mësuan më shumë për procedurën funksionale të vlerësimit në shërbimin korrektues finlandez dhe të standardeve të BE-së në këtë fushë, formën e aktiviteteve të përshtatshme që mund të integrohen në planet e dënimeve, nevojën për vlerësim dhe rishikim të planeve të dënimit gjatë gjithë dënimit, si dhe për nevojën për integrimin e masave të sigurisë dhe parrezikshmërisë të nevojshme për ta bërë kohën e burgimit të sigurt për të burgosurit dhe të tjerët.

Naime Redenica Bellaqa, vijuese e trajnimit dhe punonjëse sociale në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, shprehu bindjen se ky trajnim do ta ndihmojë atë dukshëm për planifikimin e dënimeve: “Bazuar në përvojën time personale, planifikimi i dënimeve është shumë i rëndësishëm sepse identifikon nevojat konkrete të burgosurve duke na mundësuar neve intervenimin në fushat që janë më të nevojshme dhe duke lehtësuar ri-integrimin e tyre në shoqëri.

Një shembull shumë konkret janë rastet kur ne u kemi ndihmuar të burgosurve të ndërgjegjësohen për krimin që kanë kryer: një hap kyç drejt rehabilitimit të tyre”.

EULEX-i është duke e ndihmuar SHKK-në në mënyrë aktive për zhvillimin e procedurave të planifikimit të dënimeve.

Në maj të vitit 2017, ky Mision e organizoi një trajnim për 20 zyrtarë të SHKK-së mbi vlerësimin dhe kategorizimin e të burgosurve.

Në vitin 2018, SHKK ka iniciuar pilot projektin e NJVKB-së, me mbështetjen e EULEX-it. Në tetor 2019, EULEX-i e organizoi një vizitë studimore në Finlandë me qëllim njoftimin e zyrtarëve të SHKK-së me procesin e kryerjes së vlerësimit të rrezikut dhe nevojave si dhe krijimin e planeve të dënimeve, thuhet në njoftimin e EULEX-it.