Sinani: Kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi rrezikon paqen në rajon
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka deklaruar se shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Serbi e rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon.
Sipas saj në vitet e ’90-ta kur regjimi i Millosheviqit synonte shtypjen dhe përndjekjen e shqiptarëve, të rinjtë u detyruan të largoheshin në mënyrë masive për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak dhe represionit.
Rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës.
Djemtë tanë, sapo mbushin 18 vjeç, detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, në një shtet që vazhdimisht i diskriminon”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, Serbia nuk përballet me ndonjë kërcënim nga fqinjtë e saj, por përkundrazi, siç tha ajo, ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë treguan se teksa flitet për paqe në Bruksel, Serbia planifikon destabilizimin dhe aneksimin e veriut.
“Kërcënimi i vërtetë për paqen dhe stabilitetin e rajonit vjen pikërisht nga vetë Serbia!
Rajoni ynë ka nevojë për paqe, zhvillim dhe të ardhme të sigurt për të rinjtë tanë.
Por, për fat të keq, Serbia e Vuçiqit vazhdon të tregojë se nuk ka asnjë vullnet për normalizim dhe stabilitet.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës duan paqe, jo tensione! Rajoni ka nevojë për progres, jo për konflikte të reja”, u shpreh ajo.

