Skandaloze: Kryeministri Kurti ua cakton kohën e vdekjes pensionistëve !!!!!!

Zeqir Bekolli

Kryeministri i Republikës së Kosovës, herë- herë, me deklaratat e tij po i zhgënjen edhe ata që shpresuan dhe iu besuan fjalëve e premtimeve të tij sa ishte në opozitë.

Me ardhjen në pushtet, ndryshoi aq shumë sa që, shpeshherë pyesim vetën: A është i njëjti, apo çfarë ndodhi me të kur u ul në karrigen e butë të Kryeministrit, për të mos thënë afër arkës.

Nga shumë premtime që i pat bërë, ishte edhe ajo se pushtetin do ta zbres poshtë, në mënyrë që shtresa e ulët t’i shijojë frytet e tij.

E njëra ndër shtresat e ulta e të nëpërkëmbura është ajo e pensionistëve, ndaj një pjese prej tyre u soll keq, duke i diskriminuar dhe trajtuar si qytetarë të rendit të dytë.

Bie fjala, me punëtorët (pensionistë) të dëbuar nga puna, pas viteve të nëntëdhjeta nga regjimi serb, jo që u soll keq e i diskriminoi, por ndaj tyre bëri edhe “krim”, sikur edhe ndaj punëtorëve të gazetës “Rilindja”, të cilët punuan jashta tutelës serbe dhe i la me nga 100 euro pension!

Por, Kryeministri nuk kënaqet vetëm me këtë diskriminim – “krim”.

Ai doli edhe para mediave dhe pensionistëve ua caktoi edhe kohën e vdekjes, sikur të ishte ndonjë profet religjioz dhe për këtë veprim nuk u skuq fare!

Këto ditë deklaroi se “pensionistët do të vdesin brenda një ose dy dekadave” e harroi se vdekja e ka një tastierë, sikur kompjuteri sot, e dikur makina e shkrimit dhe nuk varet prej dëshirës së tij.

Harroi, Kryeministri se edhe ai vet është pjesë e kësaj tastiere.