Në vitin 2021, Kurti e lidhte rritjen e pagave në kohë fushate me dëshirën për pushtet – VIDEO
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se Qeveria ka vendosur t’i rrisë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari i vitit 2025. Ai theksoi se po e bën këtë për t’i mbështetur ata që kanë paga më të ulëta dhe për ta ngushtuar hendekun mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë.
Kjo lëvizje e Qeverisë Kurti erdhi pak muaj para zgjedhjeve nacionale, që do të mbahen më 9 shkurt.
Por, në vitin 2021, në një konferencë për media nga objekti i Qeverisë, Kurti kishte bërë deklarata kritikuese për veprime të tilla në kohë fushatash.
“Qeveritë e mëhershme i kanë rritur pagat me premtime elektorale, që mandej i kanë përmbushur pjesërisht ose aspak. Mirëpo ekonomia nuk funksionon ashtu, mund të funksionojnë dëshirat për pushtet, por ekonomia nuk funksionon me fushata elektorale, siç është bërë në të kaluarën. Rritja e pagave do ta ndjekë rritjen e produktivitetit brenda rritjes ekonomike”, kishte deklaruar Kurti.
Kjo deklaratë ishte shpërndarë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.