Studimi: Infeksionet e rënda të Covid dyfishojnë shanset për vdekje vitin e ardhshëm

Pacientët që i mbijetojnë Covidit të rëndë kanë dy herë më shumë gjasa të vdesin gjatë vitit të ardhshëm sesa ata që nuk janë infektuar ose kanë përjetuar simptoma më të lehta të virusit, thotë një studim.

Hulumtimi, i botuar në Frontiers in Medicine, sugjeron se infeksionet serioze të koronavirusit mund të dëmtojnë ndjeshëm shëndetin afatgjatë, duke treguar rëndësinë e vaksinimit.

“Ne kryem një studim të mëparshëm që tregoi se pacientët e sëmurë me Covid dhe që përjetuan simptoma të rënda dhe u shëruan ishin në rrezik më të madh për t’u shtruar në spital në gjashtë muajt e ardhshëm,” tha Prof. Arch Mainous nga University of Florida, autori kryesor i studimit.

Studimi zbuloi se pacientët që u sëmurën rëndë me koronavirus kishin një shans më të madh për të vdekur gjatë vitit të ardhshëm, një prirje që ishte veçanërisht e dukshme në mesin e atyre të moshës nën 65 vjeç, transmeton anabel.

Shumica e vdekjeve që ndodhën te njerëzit që kaluan simptoma të rënda të Covidit nuk ishin të lidhura me komplikime të zakonshme nga sëmundja – 80% e vdekjeve të tilla ndodhën për një sërë arsyesh që zakonisht nuk lidheshin me virusin. Kjo sugjeron që pacientët patën një rënie të përgjithshme të shëndetit.