Suedia dënon me burgim të përjetshëm kosovarin që vrau prindërit

Gjykata e Qarkut e Stokholmit e ka dënuar me burgim të përjetshëm 37-vjeçarin nga Prizreni, Adriatik Hadrin, për vrasjen e prindërve të tij. Ai duhet të paguajë edhe dëmshpërblim për motrat dhe vëllezërit, të cilët janë lënë pa prindër. Express u sjell detaje se si kishte ndodhur i gjithë rasti dhe për motivin që e ka shtyrë kosovarin t’i vrasë prindërit.

Adriatik Hadri nga Prizreni do ta kalojë gjithë pjesën e mbetur të jetës në burg. Ai është dënuar dje nga Gjykata e Qarkut në Stokholm me burgim të përjetshëm për vrasjen e prindërve të tij, Durim dhe Suada Hadrit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Gjykata, në faqen e saj zyrtare. Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, ai duhet të iu paguajë edhe dëmshpërblim motrave dhe vëllezërve të tij.

“Gjykata e Qarkut e Stokholmit sot (22 mars) ka dënuar një burrë 37-vjeçar për vrasjen e prindërve të vet duke i qëlluar me nga një të shtënë në kokë me pistoletë. Incidenti ndodhi më 20 janar 2020 në qytetin e Prizrenit, Kosovë. Krimi është cilësuar si vrasje dhe dënimi është caktuar burgim i përjetshëm. Personi i dënuar gjithashtu duhet t’u paguajë dëmshpërblim vëllezërve dhe/ose motrave, të cilët janë lënë pa prindër”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas gjykatës, 37-vjeçari ka vrarë prindërit për përfitime financiare dhe se vrasjen e tyre e kishte planifikuar më parë.

“Dëshmitë kundër burrit 37-vjeçar kanë përfshirë, mes tjerash, materialin e gjerë nga telefoni i tij mobil dhe nga kompjuteri i tij. Nga dëshmitë ka dalë se 37-vjeçari ishte munduar të merrte silurë me qira para se vetë t’i kryente aktet. Ai ra në kontakt me armën e vrasjes duke e thyer kasafortën e prindërve të tij në shtëpi. Është zbuluar gjithashtu se 37-vjeçari mendonte se përmes vrasjes së prindërve do ta merrte kontrollin e aseteve familjare”, thuhet tutje në njoftim.