Dy të dyshuarit për falsifikim të rezultateve të votimit mbetën në paraburgim

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurve A.K dhe S.M, duke refuzuar si të pa bazuar ankesat e avokatëve mbrojtës kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 11.03.2021.

A.K. dhe S.M.  po dyshohen nga ana e prokurorisë se kanë kryer veprat penale: “Falsifikimi i rezultateve të votimit”  nga neni 216 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK); dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”  nga nenin 212 par.4 lidhur me nenin 31 të këtij kodi.

Gjykata e Apelit vlerësoi se ka bazë ligjore për caktimin e masës së lartëcekur ndaj të pandehurve, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar ata kanë kryer veprat penale, për të cilat po dyshohen, e po ashtu ekzistojnë rrethana të posaçme që e bëjnë të besueshme friken se me gjetjen e tyre në liri, mund të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale, të ndikojnë në prova ose dëshmitarë  apo edhe ta përsërisin veprën penale, thuhet në njoftimin e Apelit.