Sulmoi me acid partnerin në fytyrë, flet 38-vjeçarja: Më kërcënonte se do më vriste po të lidhesha me dikë tjetër

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur para pak ditësh në Greqi ku një 38-vjeçare sulmoi me acid në fytyrë partnerin e saj 36-vjeçar.

E reja shprehet për Protothema.gr se acidin e kishte marrë ligjërisht, pas kërcënimeve dhe dhunës së vazhdueshme nga i shoqi.

“Nuk është vitriol, por acid që e kam marrë ligjërisht, më kërcënonte, më godiste. Më kërkoi të ndaheshim por të rrija vetëm, përndryshe do të më vriste”, tha ajo.

Ajo shtoi se acidin e kishte blerë për 100 euro në internet, duke dërguar edhe provat nga kompania e transportit për të vërtetuar pretendimet e saj.

“Nuk ishte vitriol, por acid që e kam blerë ligjërisht online për 100 euro dhe e kam marrë me korrier. Ju lutemi raportoni këtë”, tha 38-vjeçarja, e cila vazhdon të fshihet me qëllimin për t’u dorëzuar mëngjesin e nesërm e shoqëruar nga avokati i saj.

E pyetur se përse ka blerë preparatin e mësipërm, 38-vjeçarja thotë: “Sepse më godiste dhe më pas ikte. E kisha për mbrojtje. Ai pranoi ndarjen që i kërkova pas një sherri që patëm, por më vuri kusht që të mos kisha një burrë tjetër. Në të njëjtën kohë e takoj sikur asgjë nuk po ndodh. Ai do të më lejonte vetëm të rilidhesha me ish-burrin tim dhe do të ruante të drejtën të më shihte sa herë të donte. Kjo është e gjithë e vërteta dhe me prova”.