Surdulli: Përjetësimi i emrit të Reshat Sadikut, është më e pakta që mund të bëjmë për të

Kërkesa për emërimin e një rruge me emrin Reshat Sadiku, nuk është refuzuar nga komisioni për ankesa, për shkak të ndonjë arsye tjetër, pos për shkak të dosjes së mangët, ka thënë Bardhyl Syla, kryetar i komisionit, raporton portali Mediafokus.info.

Shefik Surdulli, këshilltar komunal thotë se mund ta kuptoj vendimin e komisionit nga ana procedurale, por ai mendon se megjithatë ish-veprimtari Reshat Sadiku meriton ta ketë emrin në një rrugë.

Në këtë rast fjala është për një veprimtar të shquar për atdhedashuri dhe për një revolucionar me fillesa që nga mosha djaloshare.

Sadiku ishte i brumosur me idetë patriotike të rilindësve tanë, deri në të fundit përpjekje të luftëtarëve vullnetarë në mbrojtje të kufirit kombëtar, të cilën luftë e bëri edhe i ati i tij, Xhemaili, krah për krah me Mulla Idriz Gjilanin, ka thënë Surdulli.

Do të thotë, shëmbëlltyra e Reshat Sadikut ishte vijimësi e brezave të lindur e të rritur nëpër luftërat shekullore për liri dhe çlirim kombëtar, ka thënë tutje Surdulli.

Për më tepër, ai ka nënvizuar faktin se veprimtaria patriotike, atdhetare dhe humanitare e Reshat Sadikut nuk është e panjohur për qytetarët e Gjilanit dhe më gjerë.

“Përjetësimi i emrit të Reshat Sadikut në një rrugë të qytetit, mbase është më e pakta që ne sot mund të bëjmë për të”, tha Surdulli. /MediaFokus/