Suliqi kërkon mirëkuptim nga qytetarët për reduktimet e ujit

Muhamet Syliqi, drejtor i kompanisë Hidromorava, ka mbajtur sot konferencë me gazetarë, me ç`rast ka ritheksuar se Gjilani po vazhdon të përballet me vështirësi sa i përket furnizimit me ujë të pijes, shkaku i thatësisë.

Megjithatë, ka shtuar Syliqi, edhe në këto kushte ne po mundohemi ta menaxhojmë situatën emergjente përmes puseve, të cilët i kemi injektuar në rrjetin e ujësjellësit dhe orarit të reduktimeve, për çka ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët.

Për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë të problemit, me të cilin Gjilani nuk është duke u përballur për herë të parë, duhet një shtim i resurseve ujore, ku është e domosdoshme ndihma e qeverisë qendrore, asaj lokale dhe donatorëve.

Suliqi tha se që nga qershori i këtij viti, për shkak të mungesës së reshjeve, furnizimi me ujë të pijes po bëhet në mënyrë të reduktuar, sipas kushteve në situatë emergjente.

Si zgjidhje emergjente, në bashkëpunim me komunën e Gjilanit, kemi investuar në funksionalizimin e dy puseve te kazerma e FSK-së, ndërkohë që edhe pusi i treti është duke u bërë gati, që sado pak të zbuten reduktimet, ka thënë Syliqi.

Ndërkaq, për zgjidhje të problemit për një kohë më të gjatë, ai thotë se duhet orientuar nga lumi Llapushnik apo edhe te Shushtë, për çka duhen mjete të konsiderueshme dhe patjetër që kërkohet mbështetje nga qeveria e vendit, Banka Botërore, Banka Evropiane për Zhvillim apo donatorë tjerë.

Përndryshe, Suliqi tha se në burim kryesor, që është penda e Përlepnicës, aktualisht niveli ka rënë në 8.45 metra. Shirat e ditëve të fundit e kanë ngritur nivelin për 45 centimetra.

Kurse Elhame Shefkiu, kryesuese e Bordit të Hidromoravës ka thënë se rënia e nivelit në liqenin e Përlepnicës rrezikon ndërprerjen e shfrytëzimit të këtij burimi kryesor.

Aktualisht, nga ky liqe merren 20 litra për sekondë, ose 120 litra më pak se në gjendje normale. Momentalisht, prej të gjitha burimeve ekzistuese, furnizimi arrin në 170 litra për sekondë, kurse në kushte normale janë 339 litra në sekondë.

Drejtuesit e kompanisë kërkuan nga qytetarët që ta kenë parasysh gjendjen e krijuar dhe ujin ta shfrytëzojnë në mënyrë sa më racionale.