“Talia…” vazhdon me shfaqjen e ferizajasve ‘Kontrolli dhe makina e dashurisë’

Mbrëmjen e tretë të Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës” është prezantuar Teatri i Ferizajt me shfaqjen “Kontrolli dhe Makina e Dashurisë” me tekst dhe regji të Besim Ugzmajlit.

Shfaqja ka ngjallë kërshërinë e publikut gjilanas, i cili po tregon interesim të madh për festivalin edhe në kohë pandemie.

Bartës të roleve ishin Mevlan Saraçi, Uratë Shabani, Valdrin Osmani, Blin Sylejmani, Dardanë Mehmeti, Gresë Gashi, Sherif Bega, Milot Salihu, Jajush Ramadani, Kushtrim Emërllahu, Leonora Hasani, Kushtrim Ugzmajli, të cilët bënë një paraqitje të mrekullueshme.

Ela dhe Oso kanë vendosur të martohen, ata kuptojnë se duhet të kalojnë disa teste të rëndësishme, të cilat ia mundësojnë martesën. Ela dhe Oso, duhet t’i nënshtrohen testeve të doktor Guan, i cili shoqërohet nga Personi dhe nga Zaza. Dr. Guan ka dizajnuar një institut, i cili teston në mënyra të ndryshme çiftet që kanë vendosur të martohen. Testet që vërtetojnë dashurinë e Elës me Oson vetëm sa shkojnë e komplikohen.

Ngjarja si e tillë, vë në dyshim të gjithë moralin dhe vlerat njerëzore me të cilat shoqëria e sotme funksionon, shpërblehet apo sanksionohet nga normat që janë vendosur prej kohësh.

Në mbrëmjen e radhës do të paraqitet Teatri “Avdush Hasani” nga Podujeva me shfaqjen e punuar nga bashkëregjisorët Emin Emini e Agron Gërguri, sipas tekstit të dramatizuar të Ismail Kadaresë “Kush e solli Doruntinën”.