“Tash s’po t’vjen kush as me nejtë e leje ma me bujtë”

Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata…

Qamile Pajaziti (11.11.1919) e lindur në Zhegër, tani jeton me familjen e saj në Gjilan, është njëra nga këta personazhe që kanë shkelur shekullin.

Lokja Qamile kishte një përkujdesje familjare shumë të mirë. Tani i kishin edhe kushtet ekonomike shumë të mira.

Nënëlokja Qamile nga fshati i lindjes (Zhegër) ishte martuar në fshatin Satançiq.

Rreth kësaj tregon: “Përpara e kemi pasë jetën e shtirë, u kanë fukarallak e skame,  lokes,  kur ka fukarallak e skame nuk mun me pasë jetë të mirë.

Fukarallak u kanë për krejt jo veç për neve, ata që e kanë ba bukën e gojës për një vjet i kan pasë punt n’dyzen.

U kanë shtirë m’e sigurue veshën, mathjen, mlojën për kejt familjen, nuk ka pasë si sot me bollek.

Punë përpara ka pasë shum se u dashtë me ja bajtë gajlen shpijës, fushës, gjave.

Musafirë ka pasë ma shum se tash, tash s’po t’vjen kush as me nejtë e leje ma me bujtë” dhe vazhdon tregimin për kohën e saj:

“Lokes përpara edhe n’opqinë  kur kemi shkue, kemi shkue rrallë, jo si sot kto trejat s’bahet java pa shkue, na u dashtë me shkue n’kam ose me kerre me gja, najkush që ka pasë ka shkue me kuaj ose edhe me magar.

Sot, me kerre sahora kah t’dush me shkue, ata pi jashtit me ballona shum shpejt po vijnë e po shkojnë, m’u pasë kanë si përpara sa i kishin ba kta me ardh pi Zvicrrës, s’un ishin ardhë hiq”.

Në pytjen time se cila kohë ka qenë më e vështirë për kto troje, ajo më tha:

“E maj men edhe kohën e kralit pak,  t’bugarit, po edhe kohën e komunistit,  po koha e shkavit u kanë ma e keqja edhe lufta e ktyne u kanë e keqe shum, kta kanë ba sene që s’i ban njeri, MA KANË PRE VLLAVIN ME SAKICË PARA SYVE T’MI, shum e shtirë u kanë m’e pa vllavin ashtu, po shkavi tana p’i bojke.

Kta edhe luftën e kanë ba me fmi e gra e me njerz pa armë, kta as nuk kanë burrni e as nuk dinë me luftue me burra e me ushtri, janë shum t’pa besë e t’pa fe; edhe pleqt na kanë thanë, shkavit kurrë s’i zihet besë“.

Për jetën e saj bashkëshortore dhe familjare ajo rrëfen:

“Me burrin kam pasë jetë të mirë, e kena çu mirë mes veti edhe pse kemi pasë fukarallak e skame; mes veti ka pas razi, unë jam kanë po më doket pak ma e shtirë se ai (edhe qesh lokja).

Tash faleminer i kemi puntë mirë, jetën e kam të rahatshme, po me kshyrin mirë faleminer pi fmive, nipav e mesave, kur i qet puntë n’dyzen, i harron lokes kejt hekat, veç humbjen e njerzve t’dashun nuk e harron kurrë, se hekat e qera harrohen”. (Gjilan, 12 janar 2018)
/Muhamed Sadriu – ‘Bukuria e Rrudhave’/

Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësishtë kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.