Rikujtim: Tefik Selimi, një jetë mes profesionit dhe pasionit

Para katër vitesh, në një ditë të ftohtë janari, në Gjilan ndërroi jetë profesori dhe gazetari Tefik Selimi.

Selimi ka lindur në fshatin Nasalë, komuna e Gjilanit, ku edhe e kreu arsimin fillor. Shkollimin e mesëm e mbaroi në Gjilan, ndërsa fakultetin, në Prishtinë.

Vitin e parë të studimeve e përballoi me honorare të shkrimeve të botuara nëpër gazeta e revista.

Pati momente kur për mungesë të mjeteve financiare, për disa javë pushoi në shtëpi, shkruan portali Mediafokus.info.

Pas kryerjes së vitit të tretë të fakultetit, pranohet arsimtar në shkollën fillore “Agim Ramadani” në Zhegër.

Në vitin shkollor 1972/73 pranohet profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, ku punoi deri në pension.

Gjatë gjithë kohës,  Selimi ka bashkëpunuar me revista e gazeta shqipe në Kosovë e Maqedoni, si “Rilindja”, “Zëri i rinisë”, “Pionieri”, “Flaka e vëllazërimit”, “Shkëndija”, “Bota sot”, “24 orë”, “Gazeta e pionierëve”, “Bota e re”, “Kosovarja”, “Jeta” sikurse edhe me portale të ndryshme.

Vjershën e parë e botoi në gazetën “Flaka e vëllazërimit” (Shkup), më 18 korrik 1968, me titull “Skënderbeu e populli”.

Selimi ka botuar një numër të madh të shkrimeve dokumentare, publicistikë, recensione e vështrime për librat e autorëve të ndryshëm, sikundër edhe polemika, shkrime nga metodika e gjuhës shqipe, fejtone e reportazhe.

Për punën e tij në arsim, disa herë është shpërblyer me diploma si profesor i dalluar.

Ka botuar veprat “Gjaku i pragjeve” (2002), “Flijimtarët e plëngjeve” (2010), “Bota e yjeve” (2011), “Lule prilli” (2012), Monografia Gjimnazi i Gjilanit – 1945-2013 dhe veprën e gjashtë publicistike dokumentare “Pragjet e përgjakura” (2014).

Në dorëshkrim ka lënë disa vepra të tjera.

Tefik Selimi e kishte profesion mësimdhënien, të cilës iu përkushtua deri në ditën e fundit të punës, ndërsa publicistika ishte më shumë se pasion për të.

Ai jetoi me këto dy dashuri, që nuk i ndante dot njërën prej tjetrës. /Mediafokus.info