Temperaturat bien deri në -8 gradë, parashikimi i motit gjatë javës së ardhshme
Kosova do të përballet me mot të ndryshueshëm gjatë javës së ardhshme, me vranësira, reshje shiu dhe rënie të ndjeshme të temperaturave, veçanërisht në mesin e javës.
Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, të hënën vendi do të ketë mot kryesisht të vranët, me reshje shiu, ndërsa në zonat me lartësi më të mëdha mbidetare priten edhe reshje bore.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 6 deri në 9 gradë. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi prej 1 deri në 11 metra në sekondë.
Të martën pritet mot me vranësira të shpërndara dhe intervale me diell. Në orët e mëngjesit do të ketë ngrica dhe mjegull në disa zona. Temperaturat minimale do të zbresin nga -5 deri në -3 gradë, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 3 deri në 6 gradë Celsius.
Rënia më e madhe e temperaturave parashihet të mërkurën, më 25 nëntor, kur temperaturat minimale mund të zbresin deri në -8 gradë Celsius. Gjatë kësaj dite moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa në disa zona mund të ketë edhe riga të dobëta shiu. Temperaturat maksimale do të lëvizin nga 2 deri në 6 gradë.
Të enjten do të rikthehen vranësirat, të shoqëruara me riga të herëpashershme shiu. Temperaturat minimale do të jenë nga 0 deri në 3 gradë, ndërsa maksimalet nga 5 deri në 8 gradë Celsius.
Edhe dita e premte pritet të jetë kryesisht e vranët, me mundësi për reshje shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 deri në 5 gradë, kurse ato maksimale nga 6 deri në 9 gradë Celsius.
Gjatë kësaj periudhe, era do të fryjë kryesisht nga drejtimi jugperëndimor, ndërsa në orët e mëngjesit të disa ditëve priten ngrica dhe mjegull.

