Nëntori i vitit 1991, kohë kur KF Dritës iu mor zhveshtorja edhe fanellat, por jo edhe dinjiteti

Shkruan: Enver Sadiku/Kryelajmi.com

Para 35 vjetësh, futbolli shqiptar në Kosovë përjetoi një nga goditjet më të rënda nga regjimi serb. KF Drita u përball me dhunën dhe padrejtësinë, por nuk u dorëzua dhe nuk hoqi dorë nga identiteti i saj.

Viti 1991 shënoi një kthesë të madhe në historinë e sportit kosovar. Ishte koha kur kishte nisur procesi i pavarësimit të sportit nga sistemi i atëhershëm jugosllav, i cili, sikurse në të gjitha fushat e jetës, kishte instaluar masa të dhunshme edhe në institucionet sportive.

Pas zhvillimeve të atëhershme politike, pushteti serb kishte shpërndarë organet legjitime të Kosovës dhe kishte vendosur nën administrimin e masave të dhunshme ndërmarrjet prodhuese, institucionet arsimore, shëndetësore e kulturore, si dhe organizatat sportive.

Sporti shqiptar, i cili deri atëherë kishte funksionuar në kuadër të sistemit institucional të Kosovës, u bë një tjetër objekt i represionit politik.

Në këtë vorbull të padrejtësive nuk kishte mbetur pa u goditur as KF Drita. Për vite me radhë, klubi ishte përballur me kushte të vështira dhe trajtim të pabarabartë.

Madje, zhveshtoret e futbollistëve gjendeshin nën shkallët e stadiumit, në pjesën jugore të tribunës, në hapësira të improvizuara që vështirë se mund të konsideroheshin kushte të mirëfillta për një klub futbolli.

Por goditja më e rëndë do të vinte më 22 nëntor 1991. Atë ditë, forcat serbe ua morën me dhunë edhe këto hapësira futbollistëve të Dritës. Bashkë me to, u konfiskuan inventari dhe të gjitha pajisjet sportive që i shërbenin klubit.

Kjo ngjarje e rëndë u pasqyrua edhe në shtypin e kohës. Gazetari Ilmi Musliu, atëbotë gazetar i gazetës “Bujku”, e dokumentoi rastin në shkrimin me titull domethënës: “Shqiptarët s’kanë të drejtë as në sport”.

Sipas raportimit të tij, ndërhyrja ishte kryer në praninë e një personi të autorizuar nga gjykata dhe pesë policëve serbë të armatosur.

Pajisjet e konfiskuara ishin bartur në anën tjetër të stadiumit, në objektin që shfrytëzohej nga KF Crvena Zvezda, klub që funksiononte nën administrimin e masave të dhunshme dhe që kishte iniciuar në gjykatë procedurën për konfiskimin e tyre.
……………..

Shkrimi i Ilmi Musliut në gazetën Bujku

Kështu, më 22 nëntor 1991, futbollistët shqiptarë të Dritës u privuan jo vetëm nga hapësirat e tyre, por edhe nga fanellat, mbathjet sportive dhe pajisjet e domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë sportive.

Ishte një akt që dëshmonte se represioni i regjimit serb nuk kishte kursyer as sportin, as futbollistët dhe as historinë e një klubi me traditë në Gjilan.

Megjithatë, ajo që regjimi nuk arriti të konfiskonte ishte vullneti i futbollistëve, dashuria për klubin dhe vendosmëria për të vazhduar rrugëtimin e tyre.

Drita, sikurse edhe klubet e tjera shqiptare në Kosovë, u detyrua të kërkonte rrugë alternative për të mbijetuar dhe për të vazhduar aktivitetin jashtë institucioneve të kontrolluara nga pushteti serb.

35 vjet më vonë, 22 nëntori 1991 mbetet një datë që duhet kujtuar jo vetëm si ditë e një padrejtësie të rëndë ndaj KF Dritës, por edhe si dëshmi e qëndresës së sportistëve shqiptarë.

Atë ditë, Dritës ia morën zhveshtoret, fanellat, pajisjet dhe hapësirat sportive. Por nuk ia morën identitetin, historinë dhe dinjitetin.

Futbollistët shqiptarë u përzunë nga Stadiumi i Qytetit, por nuk u gjunjëzuan kurrë. Sepse për ta, Drita nuk ishte vetëm një klub futbolli. Ishte pjesë e identitetit, krenarisë dhe qëndresës shqiptare.