Temperaturat e larta përfshijnë Evropën dhe Kosovën – kërkohet kujdes i shtuar për grupet më të rrezikuara

Sabedin Sherifi

Evropa po përballet me një valë të fuqishme të nxehti, e cila po sjell temperatura shumë të larta në shumë vende të kontinentit.

Edhe Kosova nuk ka mbetur jashtë ndikimit të këtyre masave të nxehta ajrore, ku gjatë ditëve të fundit dhe javëve në vazhdim pritet që temperaturat të arrijnë vlera të larta, duke e bërë motin të vështirë për shumë qytetarë.

Temperaturat ekstreme nuk janë vetëm çështje rehatie, por edhe rrezik serioz për shëndetin.

Më të rrezikuarit janë të moshuarit, foshnjat dhe fëmijët e vegjël, personat me sëmundje të zemrës, mushkërive, diabetin dhe ata që marrin terapi të rregullta mjekësore.

Rreziku shtohet edhe për personat që punojnë jashtë, në bujqësi, ndërtimtari apo aktivitete të tjera fizike nën diell.

Profesionistët shëndetësorë rekomandojnë:

• Të konsumohen sa më shumë lëngje, veçanërisht ujë.
• Të shmanget ekspozimi në diell nga ora 11:00 deri në 17:00.
• Të përdoren rroba të lehta dhe me ngjyra të çelëta.
• Të freskohen ambientet e banimit dhe të punës.
• Të kontrollohen rregullisht të moshuarit që jetojnë vetëm.
• Të mos lihen fëmijët apo të moshuarit në automjete të mbyllura, qoftë edhe për pak minuta.

Le të kujdesemi për veten dhe për njëri-tjetrin, derisa kjo valë e të nxehtit të kalojë.