Tri poezi të Mirko Gashit që sot ka ditëlindjen
Mirko GASHI:
(Me rastin 2 Shkurtit, Ditëlindjes së tij )
BARABA
“E ai ishte cub…”
(Nga bibla)
Korb mbi vorbë me vargun tim absidë
të ta thur këtë antikasidë
Larg nesh me të tmerrshmet spaleta
me mollë sherri erdhe nga Leta
Me vete solle bashkëpunëtorë katila
që ndaj tyre shegert do të bëhet Atila
Kryemjeshtër Guliveri
Minhauzeni për ty ‘a liliput
dimër e verë
Aksiomën time
zogu në qiell di për mjegull e tym
lumi i turbullt kur do të shteret
aty do të ketë lym
Mbi kokë na lëshove zogjtë e Stimfalisë
sa në ujë pirana
në tokë na hodhe breshka të Siimfalisë
sa mbi prenë hiena
Si në Alkatraz shumë e shumë kojrrila
i fute në kafaz e i mbylle ndër grila
Dhunë kërdi
gjak rrëke në kumacionin e Kerberit
për botën gërdi
për ty më rrove të rrova brisku i berberit
As fijen e flokut të djalit tim anekënd
s ‘do ta ndërroj për engjëllin tënd
S’ke falltar
ani pse je në lëkurën e Jul Cezarit
e ai tiranit i tha t’ju ruhet idave të marsit
Korb mbi vorbë
bigonave shave vrave na dhe dacka
Gropë prej ferri
ikonë terri
jetës i ngreh gracka
Larg nesh me të tmerrshmet spaleta
Damnatio memoriae të pret pranë lumit Leta
Mos festo
u mashtrove në këtë timen enklavë
miop e mizantrop
s’derdhe gjak por llavë
HOBEJA E DAVIDIT
Pa orakull
dole
në fushë të mejdanit
pa nevojë
si vashat për ojë
David
kush ka emër
ai ka zemër
e s ‘ka thembër
Goliat
çdo kuçedër
jeton në sedër
Ku e ke
zemrën e thembrën
e Akilit
Goliati nga Geta
e Davidi pa të mbeta
në duel
Me ndihmën
e zotit Hefest
për çdo herë
kremtove festë
Hëngre koka
pushtove toka
Qe i shtalbët
qe i kalbët
vëllai i madh
Eliab
Pesë gurë i more
në përroskën e shpejtë
Me të parin në hobe
ia mblodhe penjtë
në lule të ballit
Katër
lumit m’ia lë
Eu David
hë David
hobeja Jote
onomatopeja Ime
Sauli
po na pret
Pesë gurë more
në përroskën e shpejtë
Me të parin në hobe
ia mblodhe penjtë
në lule të ballit
Katër lumit m’ia lë
Eu David
hë David
hobeja
Jote
onomatopeja
Ime
Sauli
Po na pret.
VERBËRIA SIPAS HORHE BORHESIT
E ke ditur se do bëhesh Homer
verbëria vjen dalëngadalë
Më parë, sëmurja jote ngjitëse,
zhduket ngjyra e kuqe,
ngjyra e ngrohtë
fasha e ngrohtë
Pastaj
vjen ajo e ftohtë
e zeza me veza
acare
Mandej
lind
feniksi
Prej pesë rrufeve
lindin pesë
lule bozhure
në gjoksin e Orfeut
që ndrisin edhe sot
Kitara mbeti pa tingull
zëri shterpë
kush e shoi pulën
kush ia shkurtoi krihet astritit
Vajtojca s’e pa Yllin e Mëngjesit
Vaj për ne
bebëzat e mia
Qiell i zogut të shenjtë
qielli im qiell për të
i vrenjtë
Mandej
në vargonj
zhduken ngjyrat e tjera
Po shkon vjeshta
Kur vjen vera
pritet vjeshta
Në ah e bah
se ç’u zhdukën
ngjyrat e tjera
Po verbërohem
Luleve
do t’ju marr erë.
(Këto janë poezi të fillim viteve `90-ta dhe nuk janë perfshire në asnjë libër pos në revisten IDENTITEI, të asaj kohe dhe tash në revistën AGMIA nr 30)