Trotuaret që po u krijojnë qasje personave me aftësi të kufizuara

Komuna e Gjilanit është në realizim e sipër të projektit të madh të trotuareve, për t’iu krijuar qasje edhe personave me aftësi të kufizuara, shkruan Mediafokus.info.

Nënkryetari i kësaj Komune, Arbër Ismajli, ka thënë se këto projekte përkthehen me qarkullimin e lirë dhe të barabartë për të gjithe.

“Bashkë me Komitetin Konsultativ për Persona me Aftësi të kufizuara, vizituam lagjen Dardania, për të parë nga afër punimet në trotuatet e reja në këtë pjesë, si dhe, nevojën që t’iu krijojmë qasje edhe personave me aftësi të kufizuara. Ky komitet, po luan rol të rëndësishëm, në ngritjen e zërit të përfaqësimit të interesave të këtij komiteti”, ka shkruar Ismajl, në profilin e tij në Facebook, transmeton Mediafokus.info.

Ai ka thënë se do të punojmë bashkërisht në krijimin e çdo mundësie për përfaqësimin dinjitoz të përfshirjes së nevojave të këtij komiteti edhe në aspektin infrastrukturor, duke krijuar mundësi të veçanta të lëvizjes për ta.

Gjatë vizitave në terren, Ismajli shoqërohej nga drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korca, menaxheri i Handikos, Fatmir Shurdhani dhe kryetari i Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu./Mediafokus.info/