Trumpi paralajmëron se vendet e BE-së do të paguajnë “një çmim të madh”

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të martën se Bashkimi Evropian do të duhet “të paguajë një çmim të madh” për mosblerjen e eksporteve të mjaftueshme amerikane, nëse ai i fiton zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

“Do t’ju them diçka, Bashkimi Evropian tingëllon shumë bukur, shumë këndshëm, apo jo? Të gjitha shtetet e bukura e të vogla evropiane që bëhen bashkë” – tha miliarderi amerikan gjatë një tubimi në Pensilvani, pasi premtoi se do ta miratonte “aktin Trump për tregti reciproke”, raporton agjencia “Reuters”.

“Ata nuk i marrin veturat tona. Ata nuk i marrin prodhimet tona të fermave. Ata shesin miliona e miliona vetura në Shtetet e Bashkuara. Jo, jo, jo, ata do të duhet të paguajnë një çmim të madh” – paralajmëroi ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Trumpi është zotuar për vendosjen e një takse të importit prej 10 për qind ndaj të gjitha shteteve, ndërsa 60 për qind për mallrat që vijnë nga Kina. Një veprim i tillë do t’i godiste zinxhirët furnizues në mbarë botën, me gjasë duke nxitur hakmarrje e rritje të kostove, paralajmërojnë ekonomistët.

Ai e ka shqetësuar ishullin me qeverisje demokratike, Tajvanin, duke thënë se ky vend duhet t’i paguajë Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e tij dhe se ishulli ia kishte marrë Amerikës biznesin e gjysmëpërçuesve. Shtetet e Bashkuara e kanë detyrim ligjor ofrimin e mjeteve të mbrojtjes për Tajvanin, edhe pse nuk kanë marrëdhënie diplomatike formale me të.