Turqia eksporton 65 milionë lule natyrore me rastin e Ditës së Shën-Valentinit

Eksportuesit turq kanë dërguar 65 milionë lule natyrore të prera në 24 vende, kryesisht në Holandë, Angli e Gjermani, me rastin e Ditës së Shën-Valentinit, e cila shënohet më 14 shkurt.

Ismail Yilmaz, president i Bordit të Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve dhe Produkteve Zbukuruese, bëri me dije se industria që ai përfaqëson, e ka mbyllur vitin 2021 me një eksport prej 148 milionë dollarësh dhe ka e nisur me këmbë të mbarë gjithashtu këtë vit.

Duke njoftuar se sektori ka përcaktuar një objektiv eksporti prej 180 milionë dollarësh për vitin 2022, Yilmaz vuri në pah se të dhënat e muajit të parë të vitit janë shumë më mira, pasi ka pasur një rritje prej 12% në krahasim me një vit më parë.

Ai theksoi se për Ditën e Shën-Valentinit kanë dërguar lule në 24 vende të botës dhe se tregu më i rëndësishëm për eksportin e luleve është Holanda.

“Sasinë më të madhe të luleve e kemi eksportuar në Holandë. Përveç Holandës, një treg mjaft serioz është edhe Anglia, sidomos për lulet natyrore të prera. Ne realizojmë shitje intensive edhe në vende si Gjermania, Rumania, Bullgaria e Ukraina”, u shpreh Yilmaz mes të tjerash.