U nis për dukat e përfundoi në hekura, arrestohet 19-vjeçari për tentim-grabitje në një argjendari në Gjilan

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në një tentim-grabitje në një lokal argjendarie në Gjilan.

Policia e Gjilanit tha se arrestimi u krye sot rreth orës 14:09, pas veprimeve të shpejta operative të hetuesve të Njësisë së Hetimeve të Stacionit Policor.

“Sot me datën; 13.07.2026 rreth orës 14:09 si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të shpejta efikase operative, hetues nga Njësiti i hetimeve të Stacionit Policor në Gjilan ka arritur që të identifikoj, lokalizoj dhe arrestoj personin e  dyshuar shtetas i Kosovës (viti i lindjes 2007). Personi i arrestuar dyshohet për përfshirje në rastin grabitje në tentativë në një lokal argjendarie në Gjilan. Gjatë arrestimit nga të dyshuarit është sekuestruar një armë (revole) si dhe motoçikleta që dyshohet se është përdorur në rast”, thuhet në njoftim.

Policia tha se ”i dyshuari është intervistuar sipas procedurave ligjore” dhe se me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për grabitje në tentativë në qendrën e mbajtjes për 48 orë.