Vdekja nga neglizhenca?

Daut Dauti

Vdekja e tre anëtarëve të familjes Haliti që ndodhi në Shqipëri nga helmimi me ushqim është tragjedi. Afrimi është kusheri i imi, dhe se bashku me nënën, Elfeten, dhe gruan Ferzinazen, kanë qenë njerëz shumë të mirë. Këtë nuk po e them vetëm pse janë anëtarë të familjes sime të gjërë dhe për shkak se kam dhembje për ta, por për shkak se vërtetë kanë qenë të tillë: të urtë, të ndershëm, të dashur, punëtorë …

Shqipëria, ku Afrimi ka shkuar shpesh, por edhe Kosova, së bashku me shumicën e vendeve ballkanike, ballafaqohen me problemin e intervenimit mjekësor në rastet e helmimeve. Nëse e bëni një hulumtim në internet, do të shihni se sa pas vendeve perëndimore qëndrojnë këto shtete në këtë aspekt. Ta zëmë, në Britani te Madhe me popullsi 68 milionë, mesatarisht në vit regjistrohen 2. 5 milionë helmime dhe vdesin 180 veta. Por, vdekja nga neglizhenca mjekësore është 0.

Nga lajmet marrim vesh se policia ka proceduar dy persona për veprën penale ‘mjekim i pakujdesshëm’. Me fjalë tjera, ekziston dyshimi se tre anëtarët e një familjeje kanë vdekur për shkak se mjekët kanë treguar neglizhencë në trajtimin e helmimit. Pra, i kanë lënë anash apo kanë bërë ndonjë veprim apo joveprim të palejueshëm.

Me këtë rast mediat duhet të bëjnë presion ndaj organeve që kanë dështuar, siç bëjnë në vendet e mirëfillta me qëllim që të përmirësohet shërbimi kur ndodhin këto raste. Por, kjo gjë në Shqipëri nuk vërehet të shkoj më tej se lajmi për vdekjen e tyre.