Vdes fëmija nga Vitia, dyshohet se u godit nga traktori në oborrin e shtëpisë

Një fëmijë është dërguar me lëndime të rënda trupore në spital.

Policia konfirmon se nga hetimet e para dyshohet se Sh.B. (1998) në oborrin e shtëpisë së tij, gjatë manovrimit me traktor, ka goditur viktimën duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Viktima pas pranimit të tretmanit mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal Gjilan, është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë – QKUK, ku edhe përkundër ndihmës së dhënë nga ana e personelit mjekësor, për shkak të lëndimeve trupore, nga mjeku është konfirmuar se ka ndërruar jetë”, ka konfirmuar policia për Gazetën Express.

Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili rastin e ka cilësuar si ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.

“Rrethanat se si ka ndodhur rasti në koordinim të plotë me Prokurorin e shtetit janë duke u hetuar nga Njësisë i Hetimeve Rajonale Gjilan”, thuhet në konfirmimin e policisë.