Vdes intelektuali i shquar kosovar Abdullah Karjagdiu

Sot Kosova është zgjuar me një lajm të hidhur. Në moshën 84-vjeçare ka ndërruar jetë profesori dhe intelektuali i shquar, Abdullah Karjagdiu.

I ndjeri ka lindur më 24.12.1936. Ishte ndër profesorët e parë universitar të gjuhës dhe letërsisë angleze, doajen dhe korife i letërsise angleze dhe amerikane, autor i dhjetra veprave universitare, përkthyes i shumë kryeveprave letrare dhe ndër profesorët dhe veprimtarët politikë më të spikatur dhe më aktiv për shumë gjenerata.

Ka qenë bashkëpunetor i ngushtë i Ibrahim Rugovës dhe Adem Demaçit. Gjatë karrierës së tij të begate dhe të larmishme, i ka ushtruar edhe funksionet në vijim: Shef i Departamentit të anglishtes, Prodekan dhe Dekan i Fakultetit të Filologjisë, Nënkryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane dhe i Partisë Parlamentare, Kryetar i Shoqatës së Shekspirologëve dhe i Shoqatës së Përkthyesve, Drejtor i Institutit të Gjuhëve të Huaja, etj. Ka qenë një ndër intelektualët, studiuesit, profesorët dhe veprimtarët më të dalluar.

Kontributi i tij i pashoq për zhvillimin e arsimit dhe për çështjen kombëtare do të mbahet mend dhe do të shërbejë si motivim për gjeneratat në vijim. I ndjeri ka ndërruar jetë pas një sëmundje të shkurtër, në mesin e më te dashurve.

Varrimi i të ndjerit bëhet në varrezat e Prishtinës në Dragodan, në ora 13:30. Qoftë i përjetshem kujtimi për të si njeri dhe si veprimtar.