Velekinca kundërshton ‘epokën e re’ të Alban Hysenit për menaxhimin e mbeturinave në Gjilan

Mbeturinat vazhdojnë të hidhen gjithandej nëpër hapësira publike e private në komunën e Gjilanit, që ka një territor prej 392 km/2 dhe diku rreth 80 mijë banorë rezidentë.

Degradimi i ambientit ku jetojmë vetë dhe ku rrisim fëmijët tanë, deri në këso nivele, është për keqardhje.

Komuna e Gjilanit ka paralajmëruar një “epokë të re’ sa i përket këtij problemi jetik.

“Një epokë e re për menaxhimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e ambientit po fillon në komunën tonë”, ka thënë Alban Hyseni, kryetar i Komunës, në një postim në profilin e tij!

Tashmë, siç ka njoftuar edhe Ministria e Mjedisit, janë hapur dyert e deponisë sanitare në Velekincë për personat fizikë, për t’i dorëzuar vetë mbeturinat e tyre.

Dorëzimi i mbeturinave nga personat fizikë mund të bëhet çdo të shtunë, nga ora 08:00 – 16:00, me një pagesë prej 10.31€ për 1,000 kg.

“Gjilani i pastër nuk është më thjesht premtim, është realitet që po e ndërtojmë bashkë çdo ditë”, ka shtuar Hyseni.

Por, njoftimi i tij ka hasur në kundërshtim të banorëve të fshatit Velekincë, ku ndodhet deponia.

“Si kryetar i fshatit Velekincë, shpreh kundërshtimin dhe shqetësimin tim të thellë lidhur me vendimin e fundit të Komunës së Gjilanit, me të cilin kryetari Alban Hyseni ka vendosur që mbeturinat inerte të hidhen në fshatin Velekincë. Ky vendim, për mua dhe për banorët që përfaqësoj, është i papranueshëm” – ka thënë në një reagim publik Skender Bajrami, kryetar i fshatit.

Reagimi i plotë

Banorët e këtij fshati nuk ju kanë dhënë besimin e tyre që, në fund, t’u thuhet se “lajmi i mirë” është se do të kenë edhe më shumë mbeturina.

Për ne, ky nuk përbën zhvillim dhe as një vizion për të ardhmen e Velekincës.

Për ju kjo mund të quhet “epokë e re”, por për ne, banorët e Velekincës, epokë e re do të ishte të shihnim investime konkrete, projekte zhvillimore dhe një plan të qartë për avancimin e fshatit tonë.

Fatkeqësisht, në planifikimin buxhetor nuk janë marrë parasysh kërkesat dhe nevojat më bazike të banorëve të Velekincës, ndonëse ato janë paraqitur vazhdimisht nga përfaqësuesit e fshatit.

Si kryetar i fshatit, e ndiej obligim të theksoj se shqetësimet dhe kërkesat e qytetarëve nuk janë marrë në konsideratë ashtu siç do të duhej.

Velekinca ka nevojë për investime në infrastrukturë, përmirësim të shërbimeve publike, mbështetje për të rinjtë dhe familjet, si dhe për një trajtim të barabartë në ndarjen e investimeve komunale.

Prandaj, kërkojmë që ky vendim të rishqyrtohet dhe që zëri i banorëve të Velekincës të dëgjohet me seriozitet.

Velekinca meriton zhvillim, investime dhe perspektivë, jo vendime që e rëndojnë edhe më shumë jetën e qytetarëve – përfundon reagimi.