Ndahet nga jeta prof. dr. Nuhi Rexhepi, studiuesi i shquar i letërsisë shqipe

Është ndarë nga jeta profesori universitar dhe studiuesi i njohur i letërsisë shqipe, Dr. Prof. Nuhi Rexhepi, një nga personalitetet që dha kontribut të çmuar në arsimin e lartë dhe në studimet albanologjike në Kosovë.

Ceremonia e varrimit do të mbahet më 9 korrik 2026, në ora 16:45, në Varrezat e Qytetit të Prishtinës, në Arbëri.

I lindur në vitin 1942 në Pogragjë të Gjilanit, Rexhepi arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme – Normalen – në Prishtinë dhe Gjakovë. Diplomoi në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës në vitin 1967, ndërsa studimet pasuniversitare i vijoi në Fakultetin Filozofik të Beogradit. Në dhjetor të vitit 1995 mbrojti doktoratën në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës me temën: “Interpretimi i letërsisë shqipe në tekstet shkollore të Kosovës 1945–1990”.

Rrugëtimin profesional e nisi si mësues në vendlindje, për të vazhduar më pas si arsimtar në Obiliq dhe profesor i gjuhës shqipe në Shkollën Normale dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan. Në vitin 1972 u emërua asistent në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku për dekada me radhë ligjëroi lëndët Historia e Letërsisë Shqipe dhe Metodika e Gjuhës Shqipe. Gjatë angazhimit të tij universitar ushtroi edhe detyrat e prodekanit të Fakultetit të Filologjisë dhe të shefit të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Me veprimtarinë e tij akademike dhe shkencore, Dr. Prof. Nuhi Rexhepi la një gjurmë të rëndësishme në formimin e brezave të studentëve dhe në zhvillimin e studimeve të letërsisë shqipe, duke u vlerësuar si një profesor dhe studiues i përkushtuar.

Me ndarjen e tij nga jeta, familja, kolegët, studentët dhe komuniteti akademik humbën një personalitet të respektuar, kontributi i të cilit do të mbetet pjesë e rëndësishme e arsimit dhe kulturës shqiptare.