“Vendosa me zemër për Kosovën”, Rexhbeçaj tregon pse vonoi aq shumë për t’i thënë ‘po’ Kosovës

Elvis Rexhbeçaj ka vendosur t’i thotë ‘po’ Kosovës, duke u bërë kështu prurja më e re e Kombëtares së Kosovës.

Rexhbeçaj do të jetë i gatshëm t’i ndihmojë Kosovës duke filluar nga muaji shtator, kur Kosova nis përballjet në ndeshjet e Nations League.

Nga njoftimi i FFK-së, Rexhbeçaj tha se mezi po pret të luajë për fanellën “Dardane”, kurse tregon po ashtu edhe pse u vonua ky nënshkrim i kontratës.

“Sot i thashë ‘po’ Kosovës. Falënderoj në radhë të parë familjen time për përkrahje të vazhdueshme, falënderoj Agim Ademin si dhe Fekmi Kongjelin dhe gjithë FFK-në, që për shumë vite kanë qëndruar në kontakt me mua. Pres me padurim të bashkohem me shokët e Kombëtares dhe t’i realizojmë ëndrrat tona.

“Unë deri më tani kisha pengesa ligjore për shkak të pasaportës së Kosovës. Tani me ligjin e ri që erdhi për lejimin e dy pasaportave, vendosa me zemër t’i bashkohem Kosovës. Forca Dardanët!”, është shprehur Rexhbeçaj.

Kujtojmë që Rexhbeçaj është pjesë e Augsburgut dhe ka kontratë deri në vitin 2026.