“Veteranët” e LDK-së në komuna që synojnë të marrin edhe nga një mandat

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

Sikurse edhe partitë e tjera, edhe LDK tashmë ka nisur me zyrtarizmin e kandidaturave nëpër komuna. Gjatë ditës së djeshme, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku bëri të ditur tetë kandidaturat e LDK-së në disa komuna.

Nga këto tetë kandidatura, LDK ka zgjedhur që në pesë komuna të rikandidojë kryetarët aktual të cilët janë duke qeverisur aktualisht me Pejën, Lipjanin, Vushtrrinë, Vitinë dhe Fushë Kosovën.

Gazmend Muhaxheri i cili aktualisht është duke qeverisur me Pejën, në këto zgjedhje synon të marrë mandatin e tretë me radhë. Muhaxheri ishte zgjedhur kryetar i Pejës për herë të parë më 2013 ku pastaj në zgjedhjet e vitit 2017 mori sërish besimin e qytetarëve.

Imri Ahmeti gjithashtu synon që në këto zgjedhje të marrë mandatin e tretë për të qeverisur me Lipjanin. Ahmeti gjithashtu është zgjedhur kryetar i Lipjanit më 2013 dhe 2017.

Një tjetër kandidat që LDK ka vendosur ta rikandidoj sërish, është kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri. Tahiri është zgjedhur kryetar i Vushtrrisë më 2017, dhe në zgjedhjet e këtij viti synon të marrë mandatin e dytë.

Sokol Haliti i cili aktualisht udhëheq komunën e Vitisë, në këto zgjedhje synon të marrë mandatin e tretë, sikurse Muhaxheri në Pejë dhe Ahmeti në Lipjan.

Kurse Burim Berisha, i cili tash e katër mandate qeverisë me komunën e Fushë Kosovës, në këto zgjedhje synon të marrë mandatin e pestë. Berisha është zgjedhur kryetar i Fushë Kosovës në vitet 2007-2009 dhe 2013-2017.

Lidhja Demokratike e Kosovës përveç rikandimit të këtyre kryetarëve dje, ka bërë të ditur edhe emrat e tre kandidatëve të rinj në komunat Prishtinë, Podujevë dhe Suharekë.

LDK tashmë kandidat për Prishtinën ka nominuar arkitektin Përparim Rama, për Podujevën ka nominuar Ekrem Hysenin kurse në Suharekë ka nominuar Ardian Shalën.

Zgjedhjet e rregullta lokale do të mbahen në vjeshtë të këtij viti, ndërkaq data e mbajtjes së tyre pritet që shumë shpejt të caktohet nga Presidentja Vjosa Osmani, e cila ditë më parë ka përfunduar konsultimet me partitë politike rreth kësaj çështje, shkruan Telegrafi.