Molliqaj për takimin Kurti-Vuçiq: Dialog tinëzar për paketimin e ri të ‘Zajednicës’

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas konfirmimit të takimit Kurti-Vuçiq, më 15 qershor, ‘pa asnjë pikë të rendit të ditës’.

“Përderisa do të duhej të ishte i pamundur një takim pa parime, ajo çka duket tinëzsht është fakti se dialogu tashmë është i orientuar. Paketimi i ri i asociacionit që përjetëson mosmarrëveshjen me Serbinë është rendi i ditës në takimin e parë, por që nuk ka si titullohet, meqe është proces i ndërrimeve terminologjike”, shkruan Molliqaj.

Postimi i plotë i tij:

PA ASNJË PIKË TË RENDIT TË DITËS, sot sapo u konfirmua nga zëdhënësi i BE-së takimi Kurti – Vuçiq që mbahet me 15 qershor.

Ndër kritikat që bëhej ndaj delegacioneve të kaluara në negociata me Serbinë ishte se shkonin në takim pa laps e pa letër, duke aluduar se janë pa plan dhe pjesë e planit të huaj.

Përderisa do të duhej të ishte i pamundur një takim pa parime, ajo çka duket tinëzsht është fakti se dialogu tashmë është i orientuar. Paketimi i ri i asociacionit që përjetëson mosmarrëveshjen me Serbinë është rendi i ditës në takimin e parë, por që nuk ka si titullohet, meqe është proces i ndërrimeve terminologjike.

Gjuha e re që do të përdoret në marrëveshjen e vjetër për asociacionin e ka vetëm një funksion: amortizimin e rezistencës. Por siç është e pamundur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë brenda projektit të AKS-së, po aq e pamundur është të heshtet kundërshtimi në rast se tentohet të mbivendoset një kornizë e tillë.