Vetëvlerësimi

Besnik Sherifi

Vetëvlerësimi është një prej tipareve të inteligjencës emocionale që ka të bëjë me tiparet tona, me vlerësimin e vetës, vëzhgimin brenda vetës sonë.

Sipas Nietzche, “Ne kemi frikë nga pëshperitjet në vesh kur jemi vetëm e në qetësi. Prandaj e urrejmë qetësinë dhe përshtatemi me jetën”.

Ndjenja e vetvlerësimit është e lidhur ngushtë me vetbesimin “besimin në vete” me mënyrën e perceptimit të vetës sonë, vëzhgimin brenda vetës sonë, njohen e karakteristikave të vetës sonë  mënyrën e të menduarit, zgjidhjes së problemeve, reagimin dhe përshtatjen në situata të rjea, qasjen dhe komunikimin në raport me të tjerët, mënyra e tejkalimit dhe menaxhimin e probleme të ndryshme etj., të gjitha këto situata, ngjarje kanë të bëjnë me inteligjencën emocionale, me inteligjencën sociale, përshtatjen në raport me rrethin, me karakteristikat e brendshme të individit në raport me situatat e ndryshme jetësore.

Me mbarimin e periudhës së foshnjërisë marrin fund edhe kohërat e mrekullueshme të jetës pa brenga.

Hap pas hapi mësojmë të dyshojmë te vetja. Fillojmë të zhvillojmë mekanizmat për të mbrojtur vetën.

Meqenëse kuptojmë se nuk pajtohemi apo nuk duam ashtu siç jemi, vendosim të ndërtojmë maskën e një personaliteti të egos negative.

Sa më shumë rritemi, aq më shumë humbasim “Unin” dhe fillojmë të mendojmë me “Unin”  e egos negative.

Sa më shumë humbasim besimin te vetja, aq më shumë fillojmë të humbasim edhe besimin ndaj jetës së të tjerëve në të njëjtën masë humbasim edhe vetvlerësimin (Koç & Gun, 2020).

Megjithatë, siç parashtron (Goleman, 1995) nëse një pikëpamje mbi natyrën  njerëzore shpërfill aspektin emocional të njerëzve, ajo është dritëshkurtër.

Në të vërtetë  disa argumentojnë se, po ta shpërfillim mendjen emocionale të individëve, mund t’u bënin më keq se sa po të anashkalonim zhvillimin e mendjes racionale të tyre.

Sigurisht, aspektet racionale dhe emocionale të njerëzve janë vendimtare për të jetuarit e plotë.

Individët i përdorin emocionet për rregullimin e mënyrës së veprimit,  po aq sa ç’ vënë në punë edhe intelektin ose njohuritë e tyre.

Realizimi i tërësishëm i personalitetit individual varet nga inteligjenca emocionale, aftësisë për të ngushëlluar, vlerësuar, për të krijuar marrëdhënie të mira, për të qenë joshës për të tjerët  si dhe me shkathtësitë tjera emocionale të cilat janë vendimtare për t’u bërë dikush me të vërtetë i suksesshëm dhe i inkuadruar në shoqëri, e me këtë i dobishëm për vetën dhe me rrethin social.

Inteligjenca emocionale, zhvillimi dhe edukimi i saj po bëhen gjithnjë e më tepër një nga temat rreth së cilës po diskutohet gjerësisht.

Kërkimet synojnë të evidentojnë rëndësinë që kanë emocionet dhe aftësia për emocion në cilësinë e jetës së individit, për përshtatjen e tij me kërkesat e reja të rrethit social, me nevojën për t’i përshtatur përpjekjet në arritjen e suksesit të dëshiruar apo për të përballuar pengesat dhe vështersitë e jetës (Orhani, 2014).

Sipas (Goleman, 1997) inteligjenca përfshin: njohjen e emocioneve, kontrollimin e emocioneve, motivimin e vetvetes, kuptimin e emocioneve tek të tjerët, si dhe ruajtjen e marrëdhënieve.

Inteligjenca emocionale ka qenë e definuar si aftësia për të theksuar, ngulitur, kontrolluar impulset, të komunikuarit qartazi, marrjen vendimeve e arsyeshme, zgjidhjen e problemeve, dhe të punuarit me të tjerët në atë mënyrë që të krijojë rreth social  dhe të arrijë suksese (Stone Mc Coën, Jensen, Freedman, & Rideout, 1998). Këto aftësi i lejojnë individit që të njohë, dhe rregulloj emocionin, të zhvillojë vet-kontrollin, të vendos qëllime, të zhvillojë empatinë, të zgjidh konfliktet, dhe të zhvillojë shkathtësitë e nevojshme për lidership dhe participim efektiv të grupit.

……………………..

(Autori është Ma. Sc. Psikolog klinik Specializant i psikologjisë klinike)