“Vishaku” – goja e madhe e pushtetit që ua hante bukën shqiptarëve

Shkruan: Sabedin Sherifi

(Kujtime rrëqethëse kanë përcjellë të moshuarit e Malësisë së Zhegocit për mënyrën se si fshatarët përpiqeshin të shpëtonin një pjesë të drithit të tyre).

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, për shqiptarët e Kosovës filloi një periudhë e rëndë nën pushtetin komunist jugosllav.

Një nga format më të rënda të presionit ekonomik ishte aksioni i njohur në popull me emrin „Vishak“.

Ky aksion u zbatua në mbarë Kosovën, duke prekur drejtpërdrejt jetën ekonomike dhe shoqërore të familjeve shqiptare.

Në gjuhën e pushtetit quhej „tepricë“, por për familjet shqiptare nuk kishte teprica.

Kishte vetëm bukë të siguruar me djersë, drithë të mbjellë me mund dhe bagëti që përbënin pasurinë e vetme të familjes.

Pushteti kërkonte grurin, misrin, mishin, bulmetin, bagëtinë dhe prodhimet e tjera bujqësore e blegtorale.

Shpesh kërkesat ishin të tilla që familjet detyroheshin të dorëzonin edhe atë që u nevojitej për mbijetesën e tyre.

Drithi korrej natën, sepse dita ishte bërë e rrezikshme

Një nga kujtimet më rrëqethëse që kanë përcjellë të moshuarit e Malësisë së Zhegocit është mënyra se si fshatarët përpiqeshin të shpëtonin një pjesë të drithit të tyre.

Kur gruri fillonte të piqej në ara, familjet nuk guxonin ta korrnin hapur. Për të mos u vërejtur nga njerëzit që bashkëpunonin me pushtetin, ata e korrnin natën, në pjesë të ndryshme të arës.

Nuk e korrnin tërë arën përnjëherë. E ndanin punën në pjesë të vogla, në mënyrë që të mos kuptohej se ishte korrur ndonjë pjesë e saj.

Drithi i korrur thahej fshehurazi nën saç. Edhe bluarja bëhej me kujdes të jashtëzakonshëm.

Në shumë raste, drithi dërgohej natën në mulli ose bluhej në mokrat familjare.

Paramendoni çfarë kohe ishte ajo!

Njeriu duhej të fshihej për të korrur arën e vet. Duhej të priste natën për ta bluar drithin e vet.

Duhej të jetonte me frikën se dikush mund ta shihte, ta denonconte dhe ta raportonte te pushteti.

Ishte një kohë kur edhe buka e familjes duhej të sigurohej në fshehtësi!

Odborrnikët – mbikëqyrësit e arave dhe informatorët e pushtetit

Sipas rrëfimeve të banorëve të asaj kohe, odborrnikët dhe njerëzit e angazhuar nga pushteti vëzhgonin arat, përcillnin lëvizjet e fshatarëve dhe raportonin për ata që përpiqeshin ta fshihnin drithin nga aksioni i Vishakut.

Ata mbanin nën vëzhgim fshatin dhe aktivitetin e banorëve, duke krijuar një atmosferë frike e mosbesimi. Fshatari nuk e dinte se kush mund ta vëzhgonte apo ta denonconte.

Për këtë arsye, shumë familje detyroheshin ta kryenin korrjen, tharjen dhe bluarjen e drithit gjatë natës, larg syve të pushtetit.

Edhe ara e vet ishte bërë vend ku shqiptari nuk ndihej i lirë.

Parallova – qendra e grumbullimit të vishakut

Një vend që duhet të zërë një vend të veçantë në këtë histori është Parallova, e cila, sipas kujtimeve të banorëve, shërbente si qendër e grumbullimit të produkteve të kërkuara nga pushteti.

Aty përfundonin prodhimet që fshatarët detyroheshin t’i dorëzonin.

Por tragjedia nuk ishte vetëm te sasia e prodhimeve që merreshin. Ishte edhe te detyrimet që u caktoheshin njerëzve.

Kishte raste kur kërkoheshin të mira materiale që familjet as nuk i kishin.

Pra, fshatari jo vetëm që rrezikonte të humbiste prodhimin e vet, por detyrohej të gjente edhe atë që nuk e kishte, vetëm për të përmbushur kërkesat e pushtetit.

Kush kundërshtonte, përballej me dhunë dhe tortura

Sipas dëshmive të përcjella nga brezat e mëparshëm, ata që kundërshtonin ose nuk pranonin t’i nënshtroheshin kërkesave të pushtetit përballeshin me ndëshkime të rënda.

Organet e sigurimit, të njohura në kujtesën popullore si OZNA, lidhen me rrëfime për marrje në pyetje, tortura dhe keqtrajtime të njerëzve që konsideroheshin kundërshtarë të pushtetit.

Kjo krijonte një atmosferë ku njerëzit nuk kishin as guximin të ankoheshin, as mundësinë të mbronin lirisht pasurinë e tyre.

Nuk mjaftonte që pushteti ua merrte prodhimin e një viti të tërë pune.

Ata që kundërshtonin rrezikonin edhe lirinë, shëndetin dhe jetën e tyre.

“Vishaku” dhe aksioni i armëve – dy plagë të së njëjtës periudhë

Një tjetër kapitull i rëndë ishte aksioni i mbledhjes së armëve, sidomos gjatë viteve 1955–1956.

Sipas kujtimeve të Malësisë së Zhegocit, njerëzit që kishin kundërshtuar vishakun dhe që kishin rënë në sy të pushtetit, më vonë u gjendën edhe më të ekspozuar ndaj represionit gjatë aksionit të armëve.

Për shumë njerëz, kjo periudhë u bë një vazhdimësi e frikës dhe e presionit që kishin përjetuar gjatë aksionit të vishakut.

Ata që kishin guxuar të kundërshtonin kërkesat e pushtetit për prodhimet e tyre, sipas kujtimeve të banorëve, u përballën më pas me pasoja edhe më të rënda gjatë aksionit të armëve.

Kjo lidhje ndërmjet dy aksioneve meriton të dokumentohet me emra, dëshmi dhe rrëfime familjare.

Një histori që nuk duhet të harrohet

Kur i dëgjojmë këto rrëfime, kuptojmë se çfarë jete kanë bërë familjet tona.

Ata nuk luftonin vetëm për të mbijetuar nga varfëria. Luftonin që të ruanin drithin, bagëtinë, pronën dhe dinjitetin e tyre.

Në njërën anë ishte pushteti me organet e tij, ndërsa në anën tjetër ishte familja shqiptare që kërkonte të ruante bukën për fëmijët.

“Vishaku” ishte një kapitull i dhimbshëm i historisë së pasluftës në Kosovë.

Por për ta kuptuar përmasën e tij, duhet të dëgjohen edhe historitë e çdo krahine, të çdo fshati dhe të çdo familjeje që e përjetoi atë.

Malësia e Zhegocit ka rrëfimet e veta, Parallovën si pikë të rëndësishme të kujtesës lokale dhe njerëzit që e përjetuan këtë periudhë me frikë, vuajtje dhe pasiguri.

Historia nuk duhet të shkruhet vetëm nga dokumentet e pushteteve. Ajo duhet të shkruhet edhe nga kujtimet e njerëzve që e përjetuan, nga rrëfimet e të moshuarve dhe nga dëshmitë e familjeve.

Sepse ata që e kanë përjetuar këtë kohë nuk po tregojnë thjesht histori të vjetra. Po tregojnë se si një popull mund të detyrohej ta fshihte edhe drithin që e kishte mbjellë me duart e veta.

Malësia e Zhegocit nuk duhet ta harrojë vishakun. As vuajtjet e njerëzve të saj, as frikën, as torturat dhe as padrejtësitë që lanë gjurmë në jetën e shumë familjeve.

Kujtesa historike është detyrim ndaj atyre që vuajtën dhe ndaj brezave që vijnë. /Mediafokus