Vitia fton qytetarët të cilët e kanë kaluar Covid-in t’i përgjigjen aksionit për dhurimin e gjakut

Autoritetet shëndetësore në komunën e Vitisë kanë ftuar qytetarët, të cilët e kanë kaluar Covid-19, që t’i përgjigjen aksionit për dhurimin e gjakut, për të shpëtuar jetët e të tjerëve.

Sipas doktoreshës Vjollca Kadolli, drejtoreshë e QKMF në Viti, motoja e këtij aksioni, i cili zhvillohet të enjten, më 1 prill 2021 është:

‘DHURO PLAZMËN – SHPËTO JETË
BËHU HERO NË LUFTËN ME PANDEMI’

‘Besoj e dini se që nga muaji shkurt në Kosovë ka filluar te aplikohet terapia me plazmë rekovaleshente.

Kjo terapi përdor plazmën e personave që e kanë kryer COVID-19 dhe që kanë një sasi të caktuar të antitrupave në trup per të ua dhënë personave të infektuar me COVID-19, për ta shkaktuar një përgjigje imune ndaj virusit’ ka thënë doktoresha Kadolli.

Ajo u ka bërë thirrje personave që e kanë kaluar Covid19 që të bëhen pjesë e këtij aksioni.

‘Ndaj bëjmë thirrje, që të gjithë personat që e kanë përfunduar COVID-19, kanë antitrupa COVID-19 dhe nuk kanë ndonjë sëmundje të caktuar që ua ndalon dhurimin e gjakut, t’ i përgjigjen aksionit për dhurim të gjakut, i cili do të realizohet të enjten, me datë 01.04.2021, në Shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti, prej orës 11.00-14.00′.

Gjithashtu, dhurues gjaku mund të jenë edhe qytetarët që nuk kanë kaluar COVID-19.

Ky aktivitet realizohet në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit në Prishtinë.

‘Dhurimi i plazmës nuk do të rrezikojë shëndetin tuaj, ndërsa në anën tjetër me dhurimin e saj ju do të shpëtoni jetë’, ka thënë ajo.

Përjashtim në dhurimin e plazmës bëjnë gratë shtatëzëna, personat me sëmundje të tjera të caktuara që nuk lejojnë dhënien e gjakut, përfshirë edhe sëmundjet kronike dhe personat mbi moshën 65 vjeçare.

DHURONI PLAZMËN, BËHUNI HERO NË LUFTËN ME PANDEMI – thotë Dr.Vjollca Kadolli-Halili.