Vitia i ndez kombajnat

Në arat e Vitisë kanë hyrë sot kombajnat për të mbledhur drithin e kësaj vere, që duket e bereqetshme sa i përket rendimenteve.

Edhe kryetari i Komunës, Sokol Haliti ka dalë sot në ara, për të parë mbarëvajtjen e fushatës për bukën e motmotit.

‘Korrje–shirjet kanë filluar mbarë në arat tona, ku janë të mbjella me grurë rreth 4.850 hektarë, ndërsa rendimenti pritet të jetë prej 4500–5000 kilogramë për hektarë’, ka thënë Haliti.

Pritet që edhe cilësia e grurit të jetë e mirë, derisa rendimentet mund të jenë më të ulëta se vitin e kaluar, shkaku i reshjeve të shumta.

Përndryshe, interesimi për punimin e tokës është rritur dukshëm në rajonin e Vitisë.