Vjen reagimi i Ambasadës së SHBA në Kosovë pas urdhrit të Biden për futjen e zyrtarëve në listë të zezë

Shtëpia e Bardhë përmes një komunikate ka thënë se do t’i fusë në listën e zezë të gjithë zyrtarët e Ballkanit që nuk i respektojnë marrëveshjet e cekura në komunikatë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përmes një Urdhëri Ekzekutiv ka paraparë bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Pas këtij urdhri të ri ekzekutiv, ka reaguar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë.

Nga kjo ambasadë thanë se ky urdhër siguron mjete të reja për t’iu përgjigjur kërcënimeve më serioze ndaj stabilitetit në të gjithë rajonin.

“Korrupsioni dëmton politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe shëndetin ekonomik të Shteteve të Bashkuara, partnerëve tanë dhe aleatëve tanë. Dje, Presidenti Joe Biden nënshkroi një Urdhër të ri Ekzekutiv që modernizon regjimin e sanksioneve të Ballkanit Perëndimor për të pasqyruar shqetësimet e sundimit të ligjit. Ai siguron mjete të reja për t’iu përgjigjur kërcënimeve më serioze ndaj stabilitetit në të gjithë rajonin – korrupsioni, veprimet që minojnë qeverisjen demokratike dhe abuzimi serioz i të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftim.