Fillon seanca për shkarkimin e presidentit Meta, këto janë akuzat ndaj tij

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot për të votuar draftin e mazhorancës, ku kërkohet shkarkimi i presidentit Ilir Meta.

Për ta finalizuar këtë nismë, e dyta që socialistët ndërmarrin, do të duhen 94 vota.

Kryetari i Komisionit Hetimor të ngritur për hetimin e atyre që shumica quan “shkelje të rënda kushtetuese” të presidentit, Alket Hyseni, tha se Meta ka prishur qetësinë publike dhe ka nxitur urrejtjen dhe dhunën, si dhe ka dëmtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët.

Nga ana tjetër, presidenti ka deklaruar se nuk do ta njohë vendimin.

Gjithsesi, fjalën e fundit në këtë proces do ta ketë Gjykata Kushtetuese, e cila do të miratojë, ose jo, vendimin e Kuvendit, në rast se Kuvendi do të votojë “pro” shkarkimit të presidentit.