Vjeshta letrare e Gjilanit vazhdon nesër me poezinë e Ymer Elshanit
Ymer ELSHANI: MIRË SE LINDE DIELL
(cikël poetik)
(Poezi të Ymer Elshanit nga libri KUR VALLËZOJNË BUZËQESHJET, përzgjedhur nga prof dr. Anton Nikë Berisha, i cili shkroi dhe parathënien, dhe u botua nga shtëpia botuese “Faik Konica”, më 2023. Për poezinë e zgjedhur të këtij libri do të flitet nesër, më 27 nëntor 2026, ora 12:00, në shkollën e mesme të ulët, “Selami Hallaçi” të Gjilanit, në kuadër të edicionit të 17 të manifestimit VJESHTA LETRARE E GJILANIT dhe ate, në vigjilje të 28 nëntorit – Festës së Flamurit)
MIRË SE LINDE DIELL
“Mirë se linde diell i artë!”
Cicron zogu n’fole t’vet,
“Tash fluturoj poshtë e naltë,
E s’kam frigë nga natë e zezë”.
“Mirë se linde diell i dashtun!”
Uron lepuri diku’ n’pyll –
“Jam frigue disi tanë natën,
Edhe sytë nuk i kam mbyll’”.
“Mirë se linde mik i jetës,
Ti që botës i jep dritë!” –
Thotë luani thell në xhungël,
Edhe del për me shetitë…
“Mirë se linde diell i ynë!”
Gëzohen njerzit në çdo vend,
Edhe punës ia fillojnë –
Me nxitim, të mbushun shend.
RREZJA QË VAZHDON TË JETOJË
Një rreze e hollë, e praruar
Ra mbi të trëndafilit fletë,
Mbi valën e përroit t’shkumëzuar,
Mbi mështeknën flokargjentë.
Ra ajo rreze mbi lis pastaj,
Mbi ballin e fëmijës në djep,
Mbi syrin e drerit n’fierajë
Mbi rërën e lumit, mbi thep.
Çdo kund fali ngapak ngrohtësi,
Çdo send e veshi n’purpur,
Çdo kund u lëshua me lehtësi,
Askush s’e pa t’lodhur kurrë!…
N’mbrëmje kur zogu i qiellit
U fsheh pas kreshtës së lartë,
Ku është rrezja e bardhë e diellit? –
Pyetën në vërri bilbilat zë artë.
Të gjithë menduan: u zhduk ajo,
Nuk i mbeti më gjurmë askund!
Unë them se rrezja është kudo,
Unë them se jeta e saj s’ka fund.
Vazhdon rrezja e bardhë të jetojë:
Në fletët e tejdukshme të trëndafilit,
N’shkëlqimin e largët të një përroi,
Në mështeknën e gjatë të pyllit.
Në lisin e blertë që n’kreshtë rritet
Në flokët, ballin e fëmijës në djep;
Nën kapakët e guacës fshihet,
Nën gurin e murrmë të kreshtës n’thep.
KUSH E KA LAPSIN MË TË MADH
U bë një pyetje në livadh:
Kush e ka lapsin më të madh?
– Dielli, dielli!-
Thanë zogjtë skaj pylli.
Njëmijë manushaqe, trëndafila t’artë
Sapo n’mëngjes e çelin fytyrën,
Me lapsin e vet të hollë e t’gjatë –
Dielli piktor ua shton ngjyrën
Dhe mbi petale
Bën vija gjithfare.
Po gomën më të madhe, më të gjerë,
Kush e ka na thoni atëherë?
– Dielli, dielli e ka
Gomën më të madhe! – një kodër tha.
E dini, o miq, sa borë unë pata
Dhe motrat e mia përmbi shpinë
Po dielli erdhi m’ato duar t’gjata
Punën e nisi së pari n’luginë
Dhe
Me atë gomë t’vet
Borën e fshiu krejt.
Po libër a ka dielli?
– Po si, po si, – thonë galat skaj pylli.
Librin më të madh dielli e ka n’botë
Fushat e detet janë faqet e tij,
Kohën ai nuk e kalon kot
Veç lexon kallëzime, romane me mijë,
Ndonj liqe n’Afrikë
N’libër mund t’jetë pikë!
Mbasi ka laps, gomë e fletore
Dielli duhet t’jetë edhe nxënës i mirë,
E keni parë si zgjohet herët
Qiellit të kaltër udhëton, udhëton;
Bën vija, fshin, libra lexon
Dhe bie dikur për të fjetur
Prapa kodrës së largët, i heshtur.
NJË VOGËLUSH PYET BABANË
– Baba, si mundet dielli
Ta ndriçojë botën shqim?
– Zemër të madhe, t’padukshme-
Ka ai, biri im…
– Po si nuk i harxhohen rrezet
Diellit asnjëherë?
– Nga dashuria e madhe për tokën
Rrezet i shtohen përherë.
– Po era me çka udhëton
Mbi fusha e lugina?
– Me një at t’padukshëm-
Të shpejtë si vetëtima.
– A lodhet ndonjëherë era
N’udhëtim të pafund?
– Lodhet, por t’gjitha lulet
N’botë duhet t’i përkund’.
– O baba, ashtu sikur dielli
Zemrën dhe unë dua ta kem
I palodhshëm si era-
Përherë dua të jem!
– Ashtu dhe unë të dua, bir!
Ashtu dhe bota do t’jetë më e mirë!
MË I BARDHË ËSHTË QIELLI ME DIELLIN KURORË
Më i bardhë është qielli me diellin kurorë,
Kur në maje të kupës si princ ai rri;
Më krenar është trualli stërgjyshor
Kur roje shqiponja i qëndron përmbi.
Më e gëzuar është lulja herët n’mëngjes
Kur bleta me shoqe i vjen n’vizitë;
Fletët i zgjat ajo deri n’brez
Me nektar të zemrës ato i gostit.
Më i fuqishëm është përroi, kur me vëllanë
Në një përrua të vetëm kthehen n’luginë:
Atëherë e di dhe mullisi i vyeshëm Ramë
Se guri i blojës do ta shtojë shpejtësinë.
__________________________
JETËSHKRIMI I YMER ELSHANIT
(Përgatitur nga Emin Azemi)
Ymer Elshani u lind në fshatin Korroticë e Poshtme (e Ulët), me 14 qershor 1948. Që si fëmijë 4-5 vjeç u vërejten te Ymeri shkëndijat e talenilt të lindur. Të gardhi i oborrit pothuaj se çdo pasdite tuboheshin fëmijët, po edhe të rriturit, për ta dëgjuar Ymerin duke recituar poezitë që i mësonte, ose i kishte dëgjuar prej te tjerëve. Kështu i argëtonte moshatarët që shqepeshin në gaz nga shakatë e tij.
Fëmjërinë dhe rininë e kaloi në fshat. Mësimet në klasën e parë të fillores i nisi në vitin shkollor 1955/1956. Kushtet e atëhershme ishin te rënda, e veçmas në familjen e Ymerit, pasi që babai Nazifi kishte shumë fëmijë dhe mezi e siguronte bukën për familjen shumëanetarëshe.
Në mësime Ymeri ishte përherë i shkëlqyeshëm. Për mësues e pati Hasan Kastratin nga Kizhareka, ndërsa shkolla ishte një ndërtesë e rregulluar dobët.
Katër klasë të fillores i mori ne vendlindje, pastaj ciklin e lartë të fillores e mbaroi në Komaran. Shkolla mbante emrin ”Jeta e re”.
Filloi të shkruante poezi që në moshën 10 vjeçare. Në fillim e nxiti dhe i ndihmoi daja i tij, mësuesi Fazli Greiçevci. Më vonë Ymeri do të tregojë se poezinë e parë e kishte shkruar për Diellin. Daja Fazli i kontrolloi vjershën dhe i dha kurajo. Edhe në shkollë i jepte mësim arsimtari Halil Bogaj, i cili po ashtu ndikoi te Ymeri duke i botuar poezitë që shkruante në fletushkën ”Pena e re”.
Si nxënës i klasës së shtatë botoi poezinë e parë në revistën ”Pionieri” nr. 6 te vitit 1962. Ajo titullohej ”Për gjah”.
Pas kryerjes së shkollës fillore, Ymeri vijoi mësimet për mësues në shkollën e mesme normale të Prishtinës. Që të bëhej mësues ishte edhe dëshira e dajës Fazli. Me të kryer klasën e parë të shkollës normale, i ndodhi një ngjarje tronditëse që i shkaktoi pikëllim të thellë. Ia burgosen dhe ia vranë me torturë dajën Fazli.
Në varrimin e tij, Ymerit i rreshqitën lotët, por i duhej të mbahej i fortë. Në atë kohë Ymeri shkruante pandërprerë, kryesisht poezi, të cilat i lexonte në orët letrare që mbaheshin në shkollën normale. Përkrahje dhe ndihmë në rrugën krijuese i jepte profesori Rexhep Hoxha, të cilin ai e adhuronte pa masë. Këtë respekt për të do ta mbajë gjatë tërë jetës. Poezitë i botonte në faqen për fëmijë të ”Rilindjes”, në revistën ”Shëndeti” dhe në revistat ”Gezimi” dhe ”Fatosi” që dilnin ne Shkup.
Në klasën e katërt të normales iu botua vepra e parë me poezi ”Anija e miqësise”. Ishte viti 1967, vazhdonte të shkruante më intenzitet edhe më të madh. Tash ai kishte fllluar të shkruante dhe tregime të shkurtra e pjesë teatrore.
Në shtyp u paralajmërua se po e përgatiste përmbledhjen e dytë me tituill ”Baloni i kaltër”. Në këtë libër, përveç poezive kishte përfshirë edhe tregime ”Dy motra” dhe pjesën teatrale ”Lotët e Drenushës”, ”Anija e miqësisë”. Pas botimit të veprës së dytë ”Çka ëndërrojnë lulet” (1971), Ymeri u paraqit në konkursin letrar të ”Rilindjes” me romanin ”Ndodhitë Hundëkarrotës” ku mori çmimin e dytë.
Kur ishte në vitin e parë të fakultetit në nëntorin e 1968-ës, Ymeri mori pjesë në demonstratat që u bënë në Prishtine. Për këtë më vonë për pak të perjashtohej nga puna. I dhanë masën e dënimit parapërjashtim dhe në këtë rast e mbështeti drejtori i shkollës, Halil Bogaj, duke arsyetuar se atë ditë Ymeri e kishte mbajtur mësimin. Në ditar i kishte të shënuara orët, se ashtu e kishte sugjeruar vetë drejtori, kuptohet, në një bisedë të fshehtë me mësuesin Ymer. Kështu për pak shpëtoi nga më e keqja mesuesi i ri, por përcillet vazhdimisht nga argatët e sistemrt të atëhershëm.
Në shkollë të mesme Ymeri banoi në Prishtinë në një kasolle të vjetër tek halla Mine, e më vonë në shtëpinë e shkrimtarit Nebil Duraku. Kushtet i kishte shumë te rënda. Ushqimi i dobët, të cilin ia sillte shpesh babai Nazifi nga shtëpia. Ka ndodhur që me një spec të kalonte ditën, do të rrefente me vonë Ymeri. Babai Nazifi shiste vezë në treg; punonte punë të rënda fizike; zbrazte thasë mielli, pra me shumë pengesa arriti ta shkollojë djalin e madh, Ymerin.
Në mësime Ymeri ishte përherë i shkëlqyeshëm dhe punonte pandërprerë. Nga të ftohtit, gjatë kësaj kohe, Ymeri sëmuret bukur rëndë. I ngriheshin gishtërinjtë e dorës dhe një kohë e kalon në spital. Por ai kurrë s’u dorëzua. Posa doli mësues s’u kënaq me kaq dhe në afat rekord i kreu studimet.
Në tetor te vitit 1972 diplomoi në Fakultetin Filozofik – dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Pas katër vitesh që punoi në shkollën filore ”Jeta e re ” të Komoranit, kalon në gimnazin ”Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Gllogovc (tash Drenas).
Në fillim mbante ose ligjëronte dy lëndë: gjuhën shqipe dhe gjuhën latine. Pas një kohe të shkurtër zgjedhet zëvendësdrejtor i gjimnazit. Vijon studimet pasdiplomike dhe me notë të lartë 8.60 i kryen të gjtha provimet. Ndërkohë, më 1975 e kryen shërbimin ushtarak në Novi Sad. Kthehet dhe punon edhe dy vjet si profesor në gjimnaz. Fillon të botojë studime dhe kritika për veprat e letërsisë për fëmijë.
Në revistën ”Shkëndija” ,më 1978 dhe 1979 boton disa recensione për veprat që atëherë ishin si lekturë shkollore. Përgatiti disa punime për emisionet e Radio – Prishtines.
Që nga shtatori 1977 u bë drejtor i gjimnazit, mirëpo emri i shkolles ishte ndërruar në “Mareshali Tito”. Tash gjimnazi u shndërrua në Qendra e Arsimit të Mesëm të Orientuar (QAMO). Pra, përpos paraleleve te gjimnazit të pergjithshëm, u hapen degë të reja teknike.
Organizator i suksesshëm, punëtor i palodhshëm, ai me profesorët e tjerë vinin rend dhe disiplinë të jashtëzakonshme në shkollë. Profesorët vinin nga Prishtina me furgon. Ishin këto vitet e lulëzimit të arsimit në Drenas. Dolën disa breza nxënësish të dalluar, të cilët më vonë u benë mjekë, profesorë, ekonomistë etj.
Me 1978 Ymeri magjistroi me temën ”Poezia për fëmijë 1946 – 1976 në Jugosllavi”. Në këtë studim të ngjeshur dhe mjaft përkushtues, Elshani dallon që poezia shqipe për fëmijë e Pasluftës së Dytë Botërore kalon nëpër tri faza, që kanë secila fizionominë dhe veçantitë e saja stilistike e tematike:
Faza e parë, nga vitet 1945-46 deri në 1960, fillon me vjershat që u botuan te ”Gazeta e pionierëve”, ato të botuara në dy vëllimet “Vjersha për shkolla fillore e paragjimnaze” (Prishtinë, 1947) dhe “Vjersha të zgjedhura për pionierë” (1951); me tri vëllimet e veçanta të botuara më 1953: “Gjethet e reja” të Rexhep Hoxhës, “Përrallat e gjyshit” të Mark Krasniqit dhe “Vjersha” të Mehmedali Hoxhës.
Tematika është ajo e luftës, e ndryshimeve të mëdha shoqërore, e rindërtimit të vendit. Kemi një art tradicional, folklorik. Letërsia gojore ushtron ndikim të madh, si në aspektin tematik e motivor, ashtu edhe në atë strukturor e stilistik-gjuhësor.
Faza e dytë (1960-70) sipas Elshanit lidhet me vëllimin e Maksut Shehut “Kunora e kuqe” (1960), e më tej, me botimet e poetëve Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, Ali Huruglica, Fejzi Bojku, Agim Deva, Adem Gajtani. Frymëzimi këtu kap jetën e fëmijëve, ëndrrat e dëshirat e tyre, të kundruara nga këndi i shikimit të vetë fëmijës. Ndikimi i letërsisë gojore nuk është aq i drejtpërdrejtë.
Faza e tretë përfshin vitet ’70. Tematika e njohur e fazës së dytë këtu realizohet me një art më të ngritur stilistik, kemi një transformim kualitativ. Ndikimi i letërsisë gojore është i modifikuar, larg imitimit.
Pa mbushur katër vjet të punës si drejtor, më 2 prill 1981 në Drenas shpërthyen demonstratat. Edhe nxënësit e gjimnazit dolën për të kërkuar Republikë. Ymeri me profesorët dolën të obliguar për t’i percjellë nxënësit, e mundësisht sipas urdhërit të Komitetit komunal për t’i shpërndarë. Afër fabrikës së ”FERRONIKELIT” plagosen disa demostrues.
Pas kryerjes së demonstratës u ndërpre mësimi në shkollën e mesme dhe në shkollat e tjera. Duhej gjetur ”fajtorët” për këto demonstrata. Fillojnë diferencimet ideo-politike. Ymeri merret në biseda informative në polici. Pas pak ditësh e përjashtojnë nga puna se gjoja ka pasur qëndrim oportunist dhe është përgjegjes për demonstratat që u bënë në Gllogovc. Kështu mbeti pa punë poeti edhe profesori Ymer Elshani.
Erdhën ditë të zymta dhe një diferencim e ndjekje policore ndaj tij. Autorit të tetë veprave iu ndalua publikimi i shkrimeve. Ndiqej këmba-këmbës nga shërbëtorët e SPB-së.
Ankesat që i bëri gjyqit Ymeri për padrejtësi që ia bënë, iu refuzuan. I dhanë përgjigjje: je i papërshtatshëm për arsim. Pesë vjet Ymeri mbeti në shtëpi. Punonte në ara, në kopshtije. Ishte bërë bujk i mirë, por letërsinë dhe krijimtarinë letrare nuk e la. Shkruante poezi, poema, tregime dhe me një qëndresë të pashoqe u bënte ballë furtunave që ia imponuan forcat reaksionare dhe njerëzit shpirtëzinj. Megjithatë, Ymeri më në fund, pas një kohe të gjatë punësohet në fabrikën e ,,Ferronikelit” si përkthyes. Kjo ndodhi në 1985.
Ia vlen të thuhet se sa ishte i papunë e përkrahu shkrimtari Rifat Kukaj, i cili ia kishte dhënë dhe të përkthejë librin, ”Nje mije e nje net” dhe ia boton veprën me tregime ”Plaku me violinë” (1984).
Në” Feronikel” punon deri më 1992. Prapë e largojnë nga puna si ”tepricë teknologjike”. Më 1994 kthehet në arsim. Këtë herë prapë në gjimnaz si zëvendësdrejtor. Në rrethana të rënda për arsimin tonë, Ymeri prej vitit 1996 emërohet këshilltar për lëndën e gjuhës dhe letësisë shqipe. Me elan të përtërirë, me tërë potencialin punoi në mirëvajtjen dhe përparimin e arsimit. Shkonte në të gjitha shkollat e komunës së Drenasit. Hospitonte në orë, jepte udhëzime dhe inkurajonte punëtorët e arsimit për të mbijetuar arsimi në gjuhën shqipe, që ishte në rrezik të shkatërrohej nga Serbia.
Kur lufta filloi, më 1998 Ymeri kishte vendosur të mos largohej nga vendlindja. Disa ditë ishte në Prishtinë, por menjëherë u kthye në fshat.
Ymer Elshani është autor i 31 veprave letrare në prozë e poezi. Në ndërkohë u botua edhe kompleti i veprave të Ymer Elshanit, në 11 vëllime, si dhe një libër me poezi të zgjedhura dhe një tjetër, me tregime të përzgjedhura.

