Vuçiq: Na pret vit i rëndë, do të na bëjnë presion për njohjen e Kosovës

Aleksandar Vuçiq po e parashikon një vit të rëndë për Serbinë, shkruan gazeta online Mediafokus.info.

Presidenti serb, për televizionin “Prva”, ka thënë sot se “forcat që angazhohen për ‘Shqipërinë e Madhe’ pa dyshim do të fitojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë”, të cilat, siç tha ai, “do të përdoren nga të huajt për të bërë presion ndaj Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës”.

Vuçiq shtoi se pas kësaj, të huajt do t’i paraqisnin Serbisë idenë për të parandaluar formimin e një “Shqipërie të Madhe” duke njohur pavarësinë e Kosovës si një zgjidhje kompromisi.

“Forcat që insistojnë në bashkimin me Shqipërinë me siguri do të fitojnë këto zgjedhje. Kështu ka thënë Ramush Haradinaj, ai është një njeri i rrezikshëm që pret se Albin Kurti do të ketë nevojë për një parti shqiptare për koalicionin dhe po bën presion që të jetë aty dhe më vonë  të zgjidhet president i Kosovës. Atëherë ata do ta kishin atë koalicion për ‘Shqipërinë e Madhe’ ”, tha Vuçiq.