Xhelal Sveçla del para gjykatës për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është paraqitur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë për seancën gjyqësore në rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata më herët kishte vendosur që procedura penale ndaj Sveçlës të veçohej nga ajo e të akuzuarve të tjerë në këtë rast, ish-deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Drita Millaku.

Sipas aktakuzës, më 21 mars 2018, gjatë seancës plenare ku po shqyrtohej dhe votohej Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të akuzuarit aktivizuan disa bombola me gaz lotsjellës brenda sallës së Kuvendit.

Si pasojë, deputetët u detyruan të largoheshin nga salla, ndërsa vazhdimi i seancës u pamundësua për një periudhë të caktuar. Ngjarja kishte ndodhur gjatë një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.