Zaev dhe Mickovski duan qeveri pa shqiptarë, ja si u përgjigjet Sela

Zaev dhe Mickovski duan qeveri pa shqiptarë. Koalicioni “Tash Është Koha” ka mbajtur tubim qendror në Strugë, ku sheshi është mbushur plot me mbështetës.

Kryetarët e koalicionit, Sela dhe Gashi gjatë këtij karvani zgjedhor kanë vizituar edhe Labënishtën.

Ziadin Sela nga Struga i ka përcjellë porosi Zaevit dhe Mickovskit për idenë e tyre për të shkëmbyer deputetë me qëllim që mos të kushtëzohen nga shqiptarët për formim të qeverisë.

“Po dëgjoj që Zaevi dhe Mickovski janë të gatshëm të krijojnë qeveri maqedone, ja ku po ua them shumë qartë dhe hapur, nëse ju krijoni qeveri vetëm me përfaqësues maqedonas, ne krijojmë qeverinë tonë shqiptare. Më qartë se kaq s’kam si ju them”, ka deklaruar Sela nga Struga.

Ai ka bërë thirrje për përkrahjen e koalicionit të tyre dhe se më 15 korrik do të vjen ndryshimi.