Zbulohet arsyeja gjeniale pse Messi vetëm ecën në fushë, statistika që do t’iu lë “pa fjalë”
Edhe pse shpesh duket sikur vetëm ecën në fushë, Lionel Messi po dëshmon edhe një herë se futbolli nuk fitohet gjithmonë me kilometra të vrapuar.
Megjithatë, ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen nuk janë vetëm golat, por mënyra se si Messi po luan.

Gjatë ndeshjeve, 38-vjeçari shpesh shihet duke ecur nëpër fushë, larg aksioneve dhe pa u përfshirë në presing. Në pamje të parë duket sikur nuk është pjesë e lojës, por në momentin që gjen hapësirën e duhur, ai shpërthen me lëvizje vendimtare që ndryshojnë rrjedhën e ndeshjes.
Kjo nuk është rastësi, por një strategji e menduar mirë.
Me kalimin e viteve, Messi e ka përshtatur stilin e tij të lojës. Ai nuk është më dribluesi eksploziv që mbulonte çdo cep të fushës, por një futbollist që menaxhon energjinë në mënyrë perfekte për të qenë vendimtar në momentet kyçe.
Por statistika më befasuese u zbulua nga eksperti spanjoll i futbollit, Guillem Balague.

Duke folur për BBC Radio 5 Live, Balague bëri të ditur se Messi përshkon mesatarisht vetëm 6.6 kilometra për ndeshje, ndërsa plot 62 për qind e kësaj distance e kalon duke ecur.
Sipas tij, kjo mënyrë e menaxhimit të energjisë mund t’i zgjasë edhe më shumë karrierën ndërkombëtare.
Merita e madhe i atribuohet edhe përzgjedhësit Lionel Scaloni, i cili ka ndërtuar një sistem ku pjesa tjetër e skuadrës mbulon më shumë terren, bën presingun dhe punën fizike, duke i lënë Messit lirinë për të kursyer energjinë dhe për të qenë vendimtar në momentet më të rëndësishme.
Deri më tani, kjo formulë ka rezultuar perfekte. Messi vazhdon të bëjë diferencën pa pasur nevojë të vrapojë gjatë gjithë ndeshjes, duke treguar se inteligjenca taktike dhe leximi i lojës mund të jenë po aq të rëndësishme sa intensiteti fizik./Telegrafi/

