Zvicra e Xhakës shkon në çerekfinale të Botërorit
Granit Xhaka ka realizuar penallti, Gregor Kobel ndali një gjuajtje nga pika e bardhë dhe Zvicra ka bërë vend në çerekfinale të Kupës së Botës në futboll.
Zvicra fitoi në penallti ndaj Kolumbisë me rezultatin 4:3. Koha e rregullt dhe vazhdimet nuk ofruan gola.
Ndërkohë në serinë e gjuajtjeve nga pika e bardhë më të suksesshëm ishin helvetikët. Zvicra në çerekfinale do të përballet me Argjentinën.
Zvicra nuk ka luajtur në çerekfinale që nga viti i largët, 1954.
Nuk kishte shumë dramë në ndeshjen e së martës mbrëma.
Por penalltitët ishin emocionale. Së pari realizuan kolumbianët, ndërsa Xhaka u përgjigj po ashtu me shënim.
Davinson Sanchez i Kolumbisë gjuajti në traversë në serinë e dytë, por në serinë e tretë Manuel Akanji e dërgoi topin lart mbi portë. Në serinë e katërt, gjuajtjen e Cucho Hernandezit e ndali portieri zviceran, Kobel. Dhe ky ishte momenti vendimtar. Realizuan me radhë Cedric Itten i Zvicrës, Luis Diaz i Kolumbisë dhe në fund Ruben Vargas i Zvicrës për festën e madhe dhe suksesin e pritur gjatë.
Kualifikimi në çerekfinale është sukses i madh për Xhakën, që po vazhdon të shkruajë histori me Zvicrën. Në pjesën e parë për Zvicrën luajti edhe Ardon Jashari.

