Zemaj: Vendimi për izolim do ta thellojë përkeqësimin e gjendjes

N kohë kur po pritet që Qeveria Kurti të ndërmarrë masa të reja sa i përket përballjes me virusin COVID-19,  ka reaguar ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ai tha se menaxhimi i pandemisë me hapje të kontrolluar të jetës sociale dhe ekonomike, kërkon bashkërendim të aktiviteteve të përbashkëta me të gjithë akterët ligjor si dhe qytetarët për menaxhimin efikas të parandalimit dhe luftimit të pandemisë të shkaktuar nga virusi COVID-19.

“Praktika e sprovuar para një viti e izolimit te qeverise 50 ditëshe te Kurtit kur shëndetësia vetëm jepte raporte, me mundësi të kufizuara testimi, pak shtretër, pak respiratorë, me pak mjete dhe pajisje mbrojtëse , me resurse humane të limituara, dhe mungesës së gjithëpërfshirjes për frontin e përbashkët, sot është e pabesueshme që të aplikohet e njëjta metodë.Vendimmarrja për izolim qoftë edhe të pjesshëm, pa strategji të vlerësimit dhe harmonizimit të gjithmbarshëm, do ta thellojë përkeqësimin e gjendjes”, theksoi Zemaj.

Sipas ish-ministrit mbikëqyrja rigoroze e masave është mundësi pozitive për uljen e numrit të infeksionit si dhe rasteve spitalore, por kjo nuk bëhet nga kolltuku e as nga takimet virtuale, por me involvim energjik të të gjitha kapaciteteve nacionale, ekspertëve, grupet e interesit, donatorët, qytetarët dhe përkrahjen e parezervë të Qeverisë.

“Përvoja njëvjeçare me virusin, na ka dhënë mësime të duhura. Uroj të mos të përsëriten gabimet e para një viti! Izolimi shkatërron.Barte maskën!Ruaje distancën!Mbaje higjienën!”, shtoi ai