Zemrat e kujt e kishin parandjerë ndarjen?

Familja Greku ka humbur tre anëtarë të saj në fatkeqësinë e 26 nëntorit. Nga Amerika e Franca, familjarët kanë ardhur për t’iu dhënë lamtumirën e fundit Saimir Grekut, 30-vjeç, Pëllumb Grekut, 57-vjeç dhe Çelike Grekut, 57-vjeç, që humbën jetën tragjikisht nën rrënojat e tërmetit.

Me lot në sy dhe e veshur në të zeza, bashkëshortja e Sajmirit, i cili doli gjallë nga rrënojat, por që ndërroi jetë pas disa orësh në spital, tregon për “News 24” dhe  “BalkanWeb” bisedën e fundit me të.

Mes lotësh, ajo thotë se vajza ishte gjithçka për Sajmirin dhe se thoshte gjithmonë që do bënte të pamundurën për t’i ofruar një të ardhme më të mirë asaj.

Gjithashtu, ajo rrëfen dhe momentin kur mori vesh lajmin e hidhur se burri i saj me prindërit ndodheshin nën rrënoja, pasi vetë kishte shkuar me vajzën te prindërit e saj.

“Për fatin tim dhe të vajzës rastisëm të ishim te prindërit e mi. I ramë në telefon tim shoq, por nuk mu përgjigj. Pastaj më merr kushërira dhe më thotë që pallati jonë ishte shembur i gjithi dhe që kanë ngelur brenda Miri dhe prindërit”.

Iu kishte kërkuar që të shkojnë e ta ndihmojnë për të hequr gurët.

“U ngrita, u vesha dhe u nisa direkt me babanë e xhaxhain tim, qëndrova aty deri kur Miri doli. E pashë me sytë e mi. Ndenja dhe te spitali gjatë gjithë kohës. Pasi doli nga operacioni e takova, por nuk ishte në gjendje as të më shikonte, as të më fliste. Për fatin e keq nuk arriti të mbijetonte dhe në 5 të mëngjesit ndërroi jetë”.

Ajo kujton momentin se kur i kishte përcjellë. U kishte thënë të rrinë deri të dielën që të kënaqej me vajzën dhe që do na përcillte ai me makinë.

“E hipte gocën sipër makinës, duke e puthur, pasi e donte shumë dhe e kishte pikën e dobët. Thoshte që do bënte gjithçka për të, që të kishte të gjitha kushtet”.

Rrëfimi i saj për bisedën e fundit, para ndarjes, është plot emocione.

“Para se të iknim biseduam për gjithçka. Sikur na e ndjeu zemra që do ishte takimi i fundit. Nuk kishim folur më parë aq gjatë, sepse vinte i lodhur nga puna dhe flinte. Ndërsa atë natë ndjeni shumë, biseduam deri vonë, sikur na e ndjeu zemra që s’do bisedonim më kurrë. Të nesërmen folëm në kamerë për tërmetin që ra në darkë dhe më tha shyqyr që je atje, se ke frikë”.