Zyhrija u vra kur e kishte kohën më të mirë për të jetuar

Kaluan 26 vjet që kur forcat serbe vranë civilë shqiptarë në Gjilan, ndërsa vrasësit nuk janë dënuar ende.

Ukshin Ajdini është njëri nga dëshmitarët e vrasjes dhe plagosjes së civilëve të pafajshëm, nga granatimet në lagjen “Arbëria”.

Edhe qytetarë tjerë të lagjes janë dëshmitarë se si kishin dëgjuar komandën ushtarake “Nishani” (shënjestro) dhe komandën tjetër “Pali” (zjarr).

Nga ky granatim janë vrarë dhe plagosur Ramadan Salihu, Xhemajl Ymeri, Hajdin Murtezi, Ramadan Azemi, Zyhrije Pireva, Fikrije Pireva, Isa Zeka.

Gjuajtja e parë me granatë është bërë në shtëpinë e Shaip Zekës, ku ka mbetur i plagosur Isa Zeka, djali i Shaipit.

Në afërsi të shtëpisë së Shaipit, nga ky granatim janë plagosur rëndë Zyhrije Pireva (1978) dhe Fikrije Pireva (1981).

Zyhrija ka vdekur në Spitalin e Gjilanit dhe është varrosur në varrezat e qytetit.

Në rikujtim të atyre ditëve të tmerrit, Izmi Zeka ka shkruar se Zyhrije Pireva u vra pikërisht kur ajo kishte kohën më të mirë për të jetuar.

“Nga granatat e hedhura në shtëpinë tonë, plagoset rëndë studentja dhe fqinja jonë, Zyhrija, bashkë me kushërirën e saj.

Zyhrija ishte në moshë të re, kishte filluar të marrë dije në Shkollën e Lartë në Gjilan, por të pamëshirshmit ia ndërprenë jetën”, ka shkruar Zeka./Mediafokus.info