Zymberët e Gjilanit, një familje aktorësh që i bëjnë nder çdo teatri ku luajnë

Familja Zymberi në Gjilan janë një teatër në vete jo vetëm për nga numri, por edhe për nga niveli artistik. Që nga Naseri, e deri te Ersoni e Ernesi, ata kanë dhanë e po japin kontribut të çmuar në avancimin e aktrimit dhe Teatrit në përgjithësi.

Naseri është një personalitet përplot vlera e virtyte të larta njerëzore dhe morale. Nuk thonë rastësisht se zemra e një aktori është vlera e pastër e një shoqërie të demokratizuar.

Andaj, me aktorë sikurse Naser Zymberi, shoqëria jonë ka arritur t’i ruaj e rrisë vlerat teatrale, me synimin e përbashkët që fusha e aktrimit të jetë vlerë shpirtërore e të gjithë atyre që e duan teatrin.

Naser Zymberi, punën si aktor teatri e ka filluar në vitet 1976 / 77 në Prishtinë, me rolin Senektus në dramën “Kaligula” të Albert Camy në Teatrin Akademik “Ramiz Sadiku” të Universitetit të Prishtinës.

Ka luajtur shumë nga rolet kryesore në Teatrin Kombëtar të Gjilanit, ku jeton dhe vepron.

Në Teatrin e Gjilanit vazhdoi punën e filluar në Prishtinë si aktor me rolin e Robertit në komedinë “Certifikata e kurorëzimit” e autorit Efraim Kishon, për të vazhduar më vonë me rolin e Rexhep Lakrit në komedinë “Ëndërr apo zgjëndërr” të autorit Josif Papagjoni, Plaku Montag në “Romeo e Zhulieta” të Uilliam Shekspir, Dinit në komedinë “Mos e prek” të dramaturgut të ri Zymber Kelmendi, Palit në “Darka Publike” të Teki Dervishi, Babai në “Trokitje” të Fadil Hysaj etj.

Naser Zymberi, ka qenë edhe drejtor i Teatrit, kryetar i Shoqatës Sindikale të Teatrit, e shumë funksione tjera, të cilat kanë bërë që ai të jetë një kontribues i madh i fushës teatrale.

Ndërkohë që, para luftës, shtëpia e tij ka qenë teatër, e cila u shfrytëzua shumë nga aktorët për përgatitje të skenareve të ndryshëm, për t’i rezistuar regjimit serb.

Familjen e tij e ka vizituar sot nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli.

“Kënaqësi dhe nder i veçantë të takoj Naser Zymberin, i cili rrjedh prej një familje aktorësh dhe e cila kontribut të çmuar në avancimin e aktrimit dhe Teatrit në përgjithësi.

Naser Zymberi do të jetë përherë në mbamendjen e qytetarëve të Gjilanit, por edhe përtej, si një aktor dhe udhëheqës teatri, i cili para së gjithash luftoi që teatri të jetë shtyllë kryesore e qendresës dhe jehonës së popullit tonë”, ka shkruar Ismajli./mediafokus.info/