Zyrtare: Vetëvendosje dhe iniciativa e Vjosa Osmanit bashkë në zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe iniciativa e ushtrues së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, do të garojnë në një listë të përbashkët zgjedhore në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Mediafokus.info.

Kjo u bë e ditur nga Kurti e Osmani në konferencën për media të mbajtur në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku edhe u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes tyre.

“Viti 2020 ka treguar se Kosova ka nevojë për kryeministër të ri dhe presidente të re. Ne e kemi presidenten që e ka kryer detyrën me përgjegjësi dhe dinjitet. E ka shprehur integritetin e institucionit dhe unitetin e popullit. Në këto zgjedhje që janë referendum duhet ta rilegjitimojmë këtë”, tha Kurti.

Më tej lideri i LVV-së ka konfirmuar se ai do të jetë kandidat për kryeministër, ndërsa Vjosa Osmani do të synojë postin e presidentes.

Ndërkaq, Vjosa Osmani ka thënë se marrëveshja që ka arritur me Lëvizjen Vetëvendosje për të garuar së bashku në zgjedhje, përfaqëson vullnetin e qytetarëve.

Në konferencë u tha se lista e përbashkët e kandidatëve për deputetë do të dorëzohet më 16 janar./Mediafokus.info/